Paralajmërimi i Odës Amerikane: Refuzimi i gazit rrezikon partneritetin e Kosovës me SHBA-në

17 Qershor 2026 | 11:27

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim për “mungesën e vazhdueshme të konsideratës” nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke paralajmëruar se një shpërfillje e thirrjeve amerikane mund të ketë ndikim në partneritetin mes dy vendeve.

“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, u tha në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.

“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.

Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se është shqetësues fakti që të gjitha shtetet e tjera të rajonit kanë shprehur zotim që të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, “e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, tha OEAK-u.

Kjo odë tha se Kosova varet për prodhim të energjisë nga kapacitete të vjetruara gjeneruese – duke iu referuar dy termocentraleve të vjetra me qymyr, Kosova A dhe Kosova B ku prodhohet rreth 90 për qind e energjisë – dhe nga importet e mëdha të energjisë. Prandaj, sipas kësaj ode, qasja në LNG-në amerikane përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe “një zgjedhje strategjike”.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, tha OEAK-u.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Diaspora i jep edhe një mandat Vetëvendosjes, LDK humb një

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, pas numërimit të shumicës së votave nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike, ndërsa procesi i numërimit...
13:13 | 17/06/2026

Kreu i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë faktin se NATO-ja do të reduktojë praninë në Kosovë si pasojë e...
12:50 | 17/06/2026

Raportuesi për Kosovën në PE: Duhet të marrë statusin e kandidatit për BE

Rruga evropiane e Kosovës dhe progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian kanë qenë në qendër të debatit në seancën plenare të Parlamentit...
21:37 | 16/06/2026