Në 250-vjetorin e SHBA-së, VanHorn: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA më të forta se kurrë
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së si më të forta se kurrë, duke e cilësuar transformimin e vendit nga izolimi komunist drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik si një histori të madhe suksesi.
Gjatë pritjes zyrtare me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, VanHorn theksoi rëndësinë e vlerave mbi të cilat u themelua Amerika më 4 korrik 1776, duke nënvizuar se parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtës për ndjekjen e lumturisë vazhdojnë të udhëheqin vendin edhe sot.
“Për gati dy shekuj e gjysmë, nuk ka pasur pengesë më të madhe ndaj tiranisë dhe shtypjes sesa këto fjalë të fuqishme. Për 250 vjet, Amerika ka qenë një fener shprese për njerëzit në mbarë botën që dëshirojnë të marrin frymë të lirë”, tha ajo, duke cituar edhe Presidentin Donald Trump.
VanHorn vlerësoi veçanërisht transformimin e Shqipërisë pas rënies së komunizmit.
“Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri. Udhëtimi i kombit tuaj nga shtypja dhe izolimi drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore është një nga historitë e mëdha të suksesit të kohës sonë. Ju po ndërtoni një shoqëri dhe institucione që nxisin lirinë dhe drejtësinë për të gjithë, përmes guximit dhe sakrificës”, u shpreh ajo.
Diplomatja amerikane tha se shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri, ndërsa vlerësoi përpjekjet e vendit për të ndërtuar institucione demokratike dhe një shoqëri më të drejtë pas rënies së regjimit komunist.
“Besimi i tyre në lirinë dhe në lidhjen e pathyeshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një frymëzim për ne të gjithë”, tha VanHorn.
Ajo theksoi se partneriteti mes dy vendeve është zgjeruar në fusha të rëndësishme si mbrojtja, tregtia dhe promovimi i vlerave demokratike.
“Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë më parë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur një botë ku mbretëron liria, të udhëhequr nga parimet e paqes nëpërmjet forcës dhe partneriteteve të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta”, deklaroi ajo.
Fjala e plotë e të Ngarkuarës me Punë VanHorn
Zëvendës Kryeministre Koçiu, faleminderit për fjalimin! Faleminderit sponsorëve tanë bujarë dhe stafit të përkushtuar që mbështeti këtë festim. Si dhe ju faleminderit juve, Kryetar i Kuvendit Peleshi, të nderuar ministra, ambasadorë, të ftuar të nderuar dhe të dashur miq që na jeni bashkuar.
Është nderi im i madh të festoj me ju këtë gur kilometrik historik – përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më 4 Korrik 1776, një grup vizionarësh amerikanë i deklaruan botës se të gjithë janë krijuar të barabartë, me të drejtën për jetë, liri dhe ndjekjen e lumturisë.
Siç ka thënë Presidenti Trump: “Edhe sot e kësaj dite, këto fjalë i japin jetë Republikës sonë, trazojnë zemrat e çdo qytetari dhe frymëzojnë mënyrën tonë të jetesës… Për gati dy shekuj e gjysmë, nuk ka pasur pengesë më të madhe ndaj tiranisë dhe shtypjes se sa këto fjalë të fuqishme”.
Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm për amerikanët. Për 250 vjet, Amerika ka qenë një fener shprese për njerëzit në mbarë botën që dëshirojnë të marrin frymë të lirë.
Shqiptarët e njohin mirë atë dëshirë. Udhëtimi i kombit tuaj nga shtypja dhe izolimi drejt demokracisë dhe aleancës Perëndimore është një nga historitë e mëdha të suksesit të kohës sonë.
Ju po ndërtoni një shoqëri dhe institucione që nxisin parimet e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë dhe e keni bërë këtë përmes guximit dhe sakrificës vetjake.
Më ndërmendet ky guxim dhe sakrificë çdo ditë rrugës për në punë, ndërsa kaloj pranë përmendores së dy shqiptarëve të guximshëm që punuan në Ambasadën e Sh.B.A.-së, Loni Adami dhe Kol Kuqali. Kohët e fundit, u takova me pasardhësit e këtyre burrave të guximshëm, të cilët humbën jetën nga duart e një regjimi brutal për shkak se refuzuan të dëshmonin rrejshëm kundër Shteteve të Bashkuara.
Familjet e Z. Adami dhe Z. Kuqali u persekutuan për dhjetëvjeçarë pas vdekjes së tyre. Megjithatë, besimi i tyre se një ditë Shqipëria do të përjetonte lirinë që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara ishte i palëkundur.
Besimi i tyre në lirinë dhe në lidhjen e pathyeshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një frymëzim për ne të gjithë.
Ndërsa festojmë 250 vjet lirie, festojmë historitë e njerëzve si ata, të cilët kanë punuar pa u lodhur për ta thelluar atë lidhje – për të forcuar partneritetin tonë ushtarak, për të ndërtuar lidhje tregtare që rrisin begatinë e të dy vendeve tona dhe për të qëndruar bashkë në mbështetje të vlerave të përbashkëta.
Ne po nderojmë njerëz si të gjithë ju. Punonjës të shërbimeve të urgjencës, drejtues të komunitetit, ushtarakë, arsimtarë, gazetarë, sipërmarrës. Të gjithë personat e shumtë që nevojiten për të ndërtuar dhe mbrojtur një komunitet të rrënjosur në vlera të përbashkëta të shërbimit, integritetit, drejtësisë dhe inovacionit, dhe, natyrisht, lirive të mishëruara në Amendamentin tonë të Parë: Liria e fjalës, liria e tubimit, liria e peticionit, liria e shtypit dhe liria e fesë.
Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë më parë, falë të gjithëve juve. Faleminderit për partneritetin tuaj, mikpritjen tuaj legjendare shqiptare dhe angazhimin tuaj ndaj vlerave që ndajmë!
Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur një botë ku mbretëron liria, të udhëhequr nga parimet e paqes nëpërmjet forcës dhe partneriteteve të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta që ka parashtruar Presidenti Trump.
Kontrolle në vijën bregdetare të Vlorës, autoritetet lirojnë plazhet publike për pushuesit
Humb jetën në Spitalin e Traumës 53-vjeçari i plagosur në aksidentin e Librazhdit
Apeli i GJKKO lë në burg ish-presidentin Ilir Meta
- 10:32 Kontrolle në vijën bregdetare të Vlorës, autoritetet lirojnë plazhet publike për pushuesit
- 10:21 Humb jetën në Spitalin e Traumës 53-vjeçari i plagosur në aksidentin e Librazhdit
- 10:15 Këmbimi valutor 18 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore
- 10:14 Seanca plenare në Kuvend, deputetët e PD shkojnë me pankarta në duar (VIDEO)
- 10:03 Apeli i GJKKO lë në burg ish-presidentin Ilir Meta
- 10:00 Flamurtari nis epokën e re, Oltijon Kërnaja merr drejtimin e vlonjatëve