Përkujtohet 90-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja, Kurti: Pa të, kultura jonë do të ishte më e varfër

25 Qershor 2026 | 21:33

Në 90-vjetorin e lindjes, akademik Rexhep Qosja u përkujtua si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Në një ligjëratë kushtuar jetës dhe veprës së tij, u vlerësua kontributi i Qosjes si një nga zërat më të rëndësishëm të mendimit kulturor, letrar dhe politik shqiptar. Në aktivitet morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, profesorë, intelektualë, studentë dhe familjarë.

Kurti theksoi se kultura shqiptare pa figurën e Rexhep Qosjes do të ishte më e varfër dhe pa një nga shtyllat kryesore të mendimit kritik shqiptar.

“Për të kuptuar peshën e vërtetë të profesor Qosjes, do të duhej të imagjinonim se si do të dukej letërsia, politika dhe mendimi kulturor shqiptar pa figurën e tij. Kjo kulturë nuk do të ishte vetëm më e varfër, por do të ishte pa një nga zërat më të guximshëm dhe më të thellë të mendimit shqiptar”, u shpreh Kurti.

Gjatë aktivitetit u lexua edhe testamenti i akademikut, i shkruar në vitin 2016 dhe i interpretuar nga aktori Avni Dalipi. Në të, Qosja shprehte dëshirën që varrimi i tij të bëhej në mënyrë të thjeshtë, vetëm në prani të familjarëve, pa ceremoni fetare, pa fjalime dhe pa praninë e mediave, duke kërkuar që të prehej pranë varrit të bashkëshortes së tij.

“Dua të jem i varrosur pa ritual fetar dhe pa praninë e autoriteteve zyrtare. Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët, thjesht dhe në qetësi… Vdes i qetë”, thuhej në testament.

Studenti i tij, Ag Apolloni, e cilësoi Qosjen si një figurë unike të kombit shqiptar, duke theksuar ndikimin e tij të madh në letërsi dhe kritikë letrare.

“Jemi këtu për ta nderuar shkrimtarin Rexhep Qosja, këtë figurë unike të kombit shqiptar. Ai është vlerësuar nga kritikë të huaj si ‘Volteri i Ballkanit’, ndërsa shumë studiues e kanë konsideruar ndër kritikët më të mëdhenj të rajonit”, tha Apolloni.

Akademik Rexhep Qosja ka ndërruar jetë më 23 prill 2026.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani flet pas kërkesave për dorëheqje të Abdixhikut

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, reagoi për herë të pari kërkesës së degëve të kësaj partie në Pejë dhe Lipjan si...
21:46 | 25/06/2026

Vendimi për ish-krerët e UÇK-së do të merret brenda datës 20 korrik

Dhomat e Specializuara në Hagë ende mbesin brenda afatit të fundit 20 korrik për shpalljen e verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në...
19:20 | 25/06/2026

Ish-themeluesi UÇK-së, Xhavit Haliti: Goxhaj të tregojë kë ka pasur komandant

Xhavit Haliti, themelues i UÇK-së dhe politikan i njohur i PDK-së në Kosovë, ka folur për Euronews Albania këtë të enjte. Për moderatorin Thimi Samarxhiu,...
14:21 | 25/06/2026