Vuçiç: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi do të nisë në mars 2027

28 Qershor 2026 | 15:41

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të dielën se në mars të vitit 2027 do të nisë kryerja e një shërbimi të detyrueshëm ushtarak “shumë të shkurtër”.

Ai e bëri këtë njoftim gjatë një vizite për inspektimin e armatimit dhe pajisjeve në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviç” në Batajnicë, pranë Beogradit.

“Para kësaj do të fillojnë procedurat burokratike, ndërsa në mars do të fillojmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do t’i forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Vuçiç.

Ai nuk shpjegoi se sa do të zgjasë saktësisht ky shërbim “shumë i shkurtër”. Në fillim të këtij viti, ai kishte paralajmëruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të rikthehej në dhjetor 2026 ose në mars 2027, dhe se do të zgjaste 75 ditë.

Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet ta marrë pëlqimin e Kuvendit të Serbisë. Përfaqësuesit e Qeverisë kanë njoftuar vazhdimisht kthimin e shërbimit ushtarak vitet e fundit.

Ideja u konkretizua në janar 2024. Pastaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit kthimin e shërbimit ushtarak.

Vuçiç më pas, në shtator të të njëjtit vit, nënshkroi një marrëveshje për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Që nga heqja e tij më 1 janar 2011, shërbimi ushtarak ka qenë vullnetar, shkruan REL. Kroacia fqinje votoi gjithashtu për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në tetor 2025.

Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sulmet iraniane ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit, Italia thirrje për përmbajtje: Thelbësore të shmanget çdo përshkallëzim

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani këtë të diele ka reaguar lidhur me sulmet e fundit të Iranit ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit. Ai ka...
16:41 | 28/06/2026

Tërmet në Portugalinë jugore, sa ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë goditi rajonin turistik të Algarve në jug të Portugalisë të dielën, tha instituti i detit dhe atmosferës së vendit...
16:13 | 28/06/2026

Papa Leo lutet për viktimat e tërmetit në Venezuelë, BE dërgon ndihmë emergjente

Papa Leo shprehu solidaritetin e tij me qytetarët e Venezuelës, të cilët po përpiqen të përballojnë ndikimin shkatërrues të dy tërmeteve të njëpasnjëshëm. “Dua të shpreh lutjet...
15:23 | 28/06/2026