Vance: SHBA-ja kërkon që Irani të bëjë lëshime domethënëse

1 Korrik 2026 | 15:35

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se Uashingtoni do ta gjykojë Teheranin nga sjelljet e jo nga retorika e tij, duke theksuar se qëllimi i negociatave është të përcaktohet nëse Irani është i gatshëm të bëjë lëshime domethënëse.

“Një pjesë e asaj që po përpiqemi të bëjmë në këto negociata është të shohim se sa seriozë janë në të vërtetë”, tha Vance për Fox News. “Për të qenë seriozë, nuk mjafton vetëm që të thonë gjërat e duhura. Ata duhet të bëjnë lëshime të vërteta”.

“Nuk na intereson shumë ajo që thonë iranianët. Na intereson më shumë ajo që bëjnë”, tha ai. “Ajo që kam mësuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara është se, qoftë mik apo kundërshtar, nuk duhet t’i besosh askujt, duhet t’u besosh veprimeve të njerëzve”.

 “Nëse veprojnë siç duhet, nëse sillen siç duhet, atëherë do të përfitojnë shumë”, shtoi nënpresidenti amerikan.

Vance tha se administrata amerikane po sheh sinjale edhe pozitive edhe negative nga Irani dhe do të vazhdojë të ndjekë drejtimin e presidentit Donald Trump, në negociata.

Ai shtoi se edhe nëse diplomacia dështon, Uashingtoni beson se veçse ka arritur objektivin e tij parësor.

“Nëse… iranianët nuk sillen mirë, nëse nuk bëjnë lëshime në negociata që ne duam t’i shohim, programi i tyre bërthamor veçse është i shkatërruar, ushtria konvencionale e tyre është e shkatërruar dhe SHBA-ja është në një pozitë shumë më të fuqishme se iranianët”.

“Ne i kemi të gjitha letrat në negociata. Ne sigurisht që duam që ato të jenë të suksesshme, por edhe nëse ndodh e kundërta, ne e kemi përmbushur misionin tonë parësor, që është të sigurohemi që iranianët kurrë nuk do të kenë armë bërthamore”, tha Vance.

Lufta nisi në fund të shkurtit me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke sulmuar vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.

Palët arritën një marrëveshje të brishtë armëpushimi në prill. Ndërkaq, më 17 qershor Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, i cili synon t’i japë fund luftës. Sipas memorandumit, palët kanë 60 ditë kohë që të negociojnë një marrëveshje afatgjatë të paqes.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner qëndruan në Katar një ditë më parë dhe po në këtë shtet është edhe një delegacion iranian.

Ministria e Jashtme e Katarit konfirmoi se delegacioni amerikan nuk është takuar me delegacionin iranian.

Kryenegociatori i Iranit, Baqer Qalibaf, tha më 30 qershor se Irani “aktualisht nuk po negocion me SHBA-në”.

Ai tha për televizionin shtetëror se Teherani nuk do të zhvillojë negociata të tjera derisa Uashingtoni të zbatojë të gjitha klauzolat e memorandumit.

Ditëve të fundit, zyrtarët iranianë kanë kërkuar zhbllokimin e aseteve të ngrira në vlerë miliardëshe që mbahen jashtë vendit, si dhe ndalimin e sulmeve të Izraelit në Liban.

Sa i përket aseteve të ngrira iraniane, Ministria e Jashtme e Katarit tha një ditë më parë se ato mbeten të bllokuara.

Qalibaf, që është edhe kryetar i Parlamentit iranian, tha se shteti i tij ka prioritet diplomacinë me SHBA-në, por mbetet i gatshëm për luftë.

“Ne synojmë dialogun, por nëse dialogu nuk është i mundshëm, ne po ashtu jemi të gatshëm për luftë”, tha ai.

Sa i përket aseteve të ngrira iraniane, Ministria e Jashtme e Katarit konfirmoi një ditë më parë se ato mbeten të bllokuara. Kjo ministri po ashtu konfirmoi se delegacioni amerikan nuk është takuar me delegacionin iranian.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Portugalia lançon modelin e parë të inteligjencës artificiale

Portugalia lançoi të mërkurën modelin e saj të parë të inteligjencës artificiale me burim të hapur, duke iu bashkuar një shtytjeje në rritje në të...
18:04 | 01/07/2026

Valë e nxehti ekstreme përfshin Portugalinë, temperatura deri në 43°C

Portugalia po përballet me një valë të fortë të nxehti që pritet të zgjasë të paktën një javë, duke sjellë temperatura shumë të larta dhe...
18:02 | 01/07/2026

Melania Trump zbulon sa fitoi nga dokumentari i saj në Amazon

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka deklaruar se ka përfituar 10.7 milionë dollarë nga marrëveshja me Amazon për dokumentarin e saj të titulluar...
17:58 | 01/07/2026