KE rekomandon hapjen e një grupi të ri kapitujsh në negociatat me Serbinë
Komisioni Evropian do t’u paraqesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian një rekomandim me shkrim, sipas të cilit Serbia është e gatshme për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit, dhe do të rekomandojë që ky grup kapitujsh të hapet gjatë muajit korrik, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Bruksel.
Rekomandimi do të jetë në rendin e ditës të takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është caktuar të mbahet më 8 korrik. Serbia tashmë është përfshirë në agjendën zyrtare të këtij takimi.
Sipas burimeve të njohura me përmbajtjen e dokumentit, Komisioni Evropian do t’i vlerësojë pozitivisht ndryshimet në ligjet e diskutueshme për gjyqësorin, të miratuara nga Serbia në fund të muajit qershor.
Burimet e Radios Evropa e Lirë bëjnë të ditur se Komisioni Evropian, në letrën që do t’u paraqitet ambasadorëve të vendeve anëtare, do të përmendë edhe emërimin e anëtarëve të Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) dhe funksionalizimin e plotë të tij, reformën e kornizës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, si dhe përparimin në harmonizimin me sanksionet dhe politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, shkalla e harmonizimit të Serbisë me masat kufizuese të BE-së është 60 për qind. Megjithatë, Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet që lidhen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kinën.
Sa i përket politikës së vizave, sipas Komisionit Evropian, Serbia ka vendosur regjim vizash për shtetasit e katër vendeve të treta, por duhet ta bëjë këtë edhe për 12 vende të tjera, në mënyrë që të harmonizohet plotësisht me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Përpjekje për të siguruar mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së
Me këtë dokument, Komisioni Evropian synon t’i bindë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ta miratojnë hapjen e klasterit 3 për Serbinë që javën e ardhshme.
Komisioni Evropian ka vlerësuar që në vitin 2021 se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e këtij klasteri, por, deri më tani, shtetet anëtare të BE-së nuk i kanë dhënë dritën e gjelbër vazhdimit të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.
Fillimisht, arsyeja ishte mosharmonizimi i Serbisë me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, ndërsa më vonë shqetësim u bë edhe përkeqësimi i situatës në fushën e sundimit të ligjit.
Serbia nuk ka hapur asnjë grup të ri kapitujsh në negociatat e anëtarësimit që nga dhjetori i vitit 2021 dhe, ndërkohë, ka humbur statusin e liderit në procesin e integrimit evropian. Për hapjen ose mbylljen e një klasteri, përkatësisht të kapitujve negociues, nevojitet miratimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se mes vendeve anëtare ende nuk ka konsensus për hapjen e klasterit 3. Një numër shtetesh mbeten hezituese për shkak të dy çështjeve kryesore: mosharmonizimit të Serbisë me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe gjendjes në fushën e sundimit të ligjit.
Javë vendimtare për vendimin
Kjo javë konsiderohet vendimtare për hapjen e mundshme të klasterit 3, pasi javën e ardhshme do të mbahen konferenca ndërqeveritare me vendet e tjera kandidate. Pikërisht në këto konferenca hapen ose mbyllen kapitujt dhe klasterët negociues. Mali i Zi pritet që më 14 korrik të mbyllë përkohësisht dy kapituj negociues, ndërsa, në të njëjtën ditë, pritet që Ukraina dhe Moldavia të hapin nga një klaster negociues.
Brenda institucioneve të Bashkimit Evropian, një pjesë e zyrtarëve vlerësojnë se ky është momenti i duhur që edhe Serbisë t’i dërgohet një sinjal inkurajues nga Brukseli, duke miratuar hapjen e klasterit 3, për të cilin Komisioni Evropian prej vitesh vlerëson se vendi është teknikisht i gatshëm./REL
Samiti i NATO-s në Turqi, Trump do të takohet me udhëheqësit e Ukrainës dhe Sirisë
Tragjike në Suedi! Vritet me armë i riu shqiptar, dyshohet viktimë e përplasjes së bandave kriminale
Britania vendos sanksione ndaj 7 rusëve dhe 2 instituteve kërkimore: Zhvilluan armë kimike të përdorura për vrasjen e Navalny
- 16:10 Microsoft shkurton 4,800 vende pune, investimet në inteligjencën artificiale rrisin presionin mbi gjigandin teknologjik
- 16:07 LVV thotë se i ka votat për Qeverinë, kërkon konsensus për presidentin
- 16:06 Rutte pas mbërritjes në Ankara: Trump shtyu aleatët të rrisin investimet në mbrojtje
- 15:40 “Një simbol i lirisë dhe miqësisë”, Prattipati vlerëson pullën postare të Kosovës për SHBA-në
- 15:30 Zelensky: Rusia po përgatit një tjetër sulm masiv rus, NATO të marrë vendime të forta
- 15:23 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbërrin në Ankara për samitin e nivelit të lartë