Eksperti: Po lind “NATO 3.0”, Turqia po fiton peshë strategjike
I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti dhe gazetari Egon Loli komentoi Samitim e NATO-s në Turqi ku tha se deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump kanë shërbyer si një shtysë për Europën që të rrisë investimet në mbrojtje dhe të rifitojë kapacitetet industriale.
Loli tha se tha se aleanca po hyn në një fazë të re, e cila po përmendet gjithnjë e më shpesh me termin “NATO 3.0”. Ai vlerësoi gjithashtu se Turqia po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së aleancës, duke u shndërruar në një aktor kyç si në industrinë e mbrojtjes, ashtu edhe në vendimmarrjen strategjike.
Ai vlerësoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po shfrytëzon momentin gjeopolitik për ta kthyer Turqinë në një aktor të domosdoshëm në vendimmarrjen e aleancës ndërsa tha se sinjalet që vijnë nga Uashingtoni tregojnë një qasje më të hapur ndaj Ankarasë, përfshirë mundësinë e heqjes së kufizimeve për furnizimin për avionët luftarakë F-35, një zhvillim që do të rriste më tej peshën strategjike të saj brenda NATO-s.
“Deklaratat e Trump janë pikërisht të tilla. Në një masë ose në një tjetër, ato kanë shërbyer për ta zgjuar kontinentin europian nga gjumi i mirëqenies dhe i deindustrializimit masiv. Për këtë samit të NATO-s po përdoret një terminologji e re, të cilën e hasa fillimisht në disa artikuj të The Economist. Flitet për një NATO 3.0, pra për nisjen e një faze të re të aleancës dhe riformatimin e saj. Ky është një samit që duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve thelbësore: A do të arrihet objektivi i vendosur në samitin e Hagës për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së? Cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë? Cili do të jetë roli i Europës në Lindjen e Mesme dhe në raport me Iranin? Si dhe a do të shkojë aleanca drejt një pavarësie strategjike europiane, brenda kufijve të Bashkimit Europian apo edhe më gjerë? Në këtë moment hyn në skenë Turqia, e cila po faktorizohet dhe po merr një rol drejtues në këtë proces riformatimi të aleancës në Europë. Turqia është vendi i dytë në NATO për nga kapacitetet ushtarake dhe renditet e 11-ta në botë për eksportin e armatimeve. Roli i saj nuk do të kufizohet vetëm te industria e mbrojtjes. Për shembull, kompania turke Roketsan, një nga prodhuesit më të mëdhenj të raketave dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, pritet të përfshihet në programet e NATO-s për prodhimin e raketave. Njëkohësisht, Ankaraja po fiton peshë edhe në drejtimin strategjik të aleancës. Një tjetër tregues i këtij pozicionimi është fakti që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Donald Trumpit të mos heqë kufizimet për shitjen e avionëve F-35 Turqisë, ndërsa nga ana tjetër administrata amerikane duket se po shqyrton mundësinë e heqjes së këtyre sanksioneve. Po ashtu, Turqia ka vendosur veto ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në forumet e bashkëpunimit me NATO-n. Izraeli nuk është anëtar i aleancës, por merr pjesë në forume të ndryshme partneriteti në kuadër të Dialogut Mesdhetar. Për shkak të vetos së Ankarasë, Izraeli nuk mund të marrë pjesë aktualisht në këto forma bashkëpunimi me NATO-n”, tha ai.
Izraeli propozim për një tubacion që anashkalon Ngushticën e Hormuzit
Danimarka i përgjigjet Trumpit: Grenlanda nuk është në shitje
Qeni sfidon ariun për të shpëtuar djalin e shtëpisë, pronari: Do ta shpërblej me një biftek (VIDEO)
- 23:15 Zjarr masiv në Porto Palermo
- 22:33 15-vjeçari nga Cërriku fiton medaljen e artë në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM
- 22:27 “NATO në krizë kredibiliteti përballë Rusisë dhe Trump”, Ralf Gjoni analizon Samitin e Ankarasë
- 22:12 “Trump nuk e do më NATO-n”, ish-ambasadori Roland Bimo: Kërkon besnikëri, jo aleancë
- 22:01 Publikohet fotoja familjare nga darka shtetërore e Presidentit Erdogan me liderët e NATO-s
- 21:54 Zhulali: Europa mbetet e varur nga SHBA për sigurinë, duhet të marrë më shumë përgjegjësi