A do ta mbajë tragjedia në Turqi trendin pozitiv të raporteve me Greqinë?

16 Maj 2023 | 19:52

Tërmetet shkatërruese në Turqi ishin arsyeja e përmirësimit të klimës së marrëdhënieve mes dy aleatëve në NATO, Greqisë dhe Turqisë, pas vitesh tensionesh të larta në Egje.

Së fundmi, aktivitetet turke në këtë det janë reduktuar ndjeshëm, ndërsa deklaratat e zyrtarëve grekë dhe atyre turq i kanë pasur tonet e ulura.

Sidoqoftë, pavarësisht tragjedive natyrore në Turqi, analistët e kishin parashikuar se përpara zgjedhjeve turke dhe greke do të kishte një periudhë paqeje.

“Është shumë herët për të folur për një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, pasi qëndrimet e tyre janë shumë ndryshe për të qenë optimist për një zgjidhje. Pastaj, përmirësimi i marrëdhënieve nuk do të thotë se problemet do të zhduken, thjesht nuk do të jemi në një situatë krize,” – u shpreh Alexandros Diakopoulos, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare.

Tërmetet e vitit 1999 në Greqi e Turqi i bënë bashkë të dyja palët në dy anët e Egjeut. Si rezultat i asaj që u quajt “diplomacia e tërmeteve”, në dhjetor të 1999-s, në Këshillin Evropian të mbledhur në Helsinki, Greqia zgjodhi një qasje të re sa i takon perspektivës evropiane të Turqisë dhe arriti të shkëpuste lidhjen e anëtarësimit të Qipros nga rezoluta e “çështjes qipriote”.

Soner Çagaptai, analist turk dhe drejtues i programit të kërkimeve turke në Institutin e Uashingtonit, beson se diplomacia e tërmeteve do të ndikojë edhe njëherë pozitivisht në raportet greko-turke.

“Mendoj se bëhet fjalë për një faqe të re, se ajo që e quajmë “diplomacia e tërmeteve” në Turqi ka bërë diferencën. Ndihma e madhe që erdhi nga Greqia në Turqi bëri gjithashtu një punë të mirë në aspektin e diplomacisë publike, besoj se ndihmoi. Nuk ndodh shpesh që një kryeministër grek të postojë mesazhe në turqisht dhe të marrë dhjetëra mijëra pëlqime. Mendoj se qytetarët turq e vlerësuan ndihmën që erdhi nga Greqia dhe kjo ka ndihmuar në ndryshimin e humorit kundrejt Greqisë në vend. Në përgjithësi mendoj se është ajo që pamë në 99-n, pas tërmetit të madh të atij viti, kur marrëdhëniet greko-turke hynë në një dekadë përmirësimi,” – deklaroi analisti Soner Çagaptai.

Mbetet për t’u parë në muajt e ardhshëm nëse ky ndryshim në marrëdhëniet mes dy vendeve do të zgjasë, apo ishte thjesht rrethanor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Qeveria austriake merr vendimin, ndërtesa ku lindi Hitleri do të bëhet komisariat policie

Ndërtesa ku lindi Adolf Hitleri pranë kufirit austriak me Gjermaninë zyrtarisht do të funksionojë si stacion policie, një konvertim që qeveria austriake shpreson se do...
10:22 | 22/07/2026

Nga kreu i FIFA-s te Kombet e Bashkuara, Trump dëshiron Infantinon për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të jetë sekretari i përgjithshëm i ardhshëm i Kombeve të Bashkuara. Infantino, 56...
10:20 | 22/07/2026

Orban thirrje mbështetësve të ngrihen kundër ‘tiranisë’ së kryeministrit Magyar: Të rivendosim demokracinë

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili u rrëzua nga pushteti pas 16 vitesh në pushtet në zgjedhjet e prillit, u ka kërkuar mbështetësve të...
10:11 | 22/07/2026