English

A do të jetë Papa i ardhshëm nga Afrika?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Nëse ritmi i rritjes së popullsisë katolike do të ishte treguesi i vetëm për zgjedhjen e Papës së ardhshëm, atëherë kontinenti afrikan do të kishte përparësi të padiskutueshme. Aktualisht, rritja më e shpejtë e numrit të katolikëve ndodh në Afrikë, e cila kontribuon me më shumë se gjysmën e rritjes globale të Kishës Katolike. E megjithatë, që nga vdekja e Papa Gelasit I më shumë se 1500 vjet më parë, asnjë afrikan nuk ka udhëhequr Kishën Katolike.

- Advertisement -

Ndërsa pritet që kardinalët të mblidhen në Vatikan për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut, debati mbi përfaqësimin afrikan në drejtimin e Kishës është intensifikuar.

“Do të ishte pozitive për Kishën që të kishte një papë afrikan,” tha për BBC-në At Stan Chu Ilo, një prift katolik nga Nigeria dhe profesor në Universitetin DePaul në SHBA. Megjithatë, ai nënvizoi se mungesa e figurave të profilit të lartë nga Afrika në hierarkinë e Vatikanit paraqet një pengesë reale për realizimin e kësaj ideje.

Pavarësisht hapave për përfshirje më të madhe të afrikanëve në hierarkinë kishtare, siç është rritja e përqindjes së kardinalëve nga Afrika Sub-Sahariane nga 8% në 2013 në 12% një dekadë më vonë, përfaqësimi i tyre në poste kyçe mbetet i kufizuar. Kjo, sipas kritikëve, përbën një hendek të madh midis realitetit demografik dhe strukturës së pushtetit brenda Kishës.

Në të kaluarën, figura si kardinali Peter Turkson nga Gana dhe kardinali Francis Arinze nga Nigeria janë parë si pretendentë të fortë për papatin. Por aktualisht, mungojnë kandidatë afrikanë me ndikim të konsiderueshëm në skenën ndërkombëtare të katolicizmit.

Megjithëse shumë e shohin përzgjedhjen e një pape afrikan si një akt simbolik të rëndësishëm, por jo të gjithë pajtohen me këtë qasje.

“Nuk mjafton të jesh nga një kontinent në rritje është thelbësore të jesh një teolog i fortë,” theksoi At Paulinus Ikechukwu Odozor, profesor në Universitetin Notre Dame. Ai theksoi nevojën që Papa i ardhshëm të jetë një figurë që njeh thellësisht traditën kishtare dhe ka aftësinë për të udhëhequr me drejtim shpirtëror dhe intelektual.

Gjatë pontifikatës së tij, Papa Françesku ka bërë përpjekje të dukshme për të afruar Kishën me Afrikën. Ai ka vizituar 10 vende në kontinent, ka folur kundër shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe ka luajtur rol aktiv në ndërmjetësimin për paqe në rajone të konfliktuara si Republika e Afrikës Qendrore dhe Sudani i Jugut. Pavarësisht kësaj, ai është përballur edhe me kritika, sidomos pas deklaratave të Vatikanit që lejonin bekime për çiftet e të njëjtit seks, një çështje shumë e ndjeshme në Afrikë.

Peshkopët afrikanë, përfshirë pretendentët më të përmendur për papatin, kardinali Fridolin Ambongo Besungu i Kongos, kardinali Robert Sarah i Guinesë dhe kardinali Peter Turkson,  kanë shprehur qëndrime të forta kundër normalizimit të marrëdhënieve të të njëjtit seks, duke reflektuar qëndrimet kulturore dhe fetare të rajonit.

Rritja e popullsisë katolike në Afrikë është e pamohueshme, nga 272 milionë në vitin 2022 në 281 milionë një vit më vonë dhe përfaqëson tashmë 20% të besimtarëve në të gjithë botën. Por a do të jetë kjo e mjaftueshme për të ndryshuar ekuilibrin tradicional të pushtetit në Kishë?

Për shumë besimtarë afrikanë, çështja shkon përtej përfaqësimit. Ajo është një kërkesë për të pasur një zë real dhe ndikues në formësimin e së ardhmes së Kishës.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?