Një aeroport jashtë përdorimit në rrethinat e Berlinit mund të jetë çelësi për ta bërë Gjermaninë më të pavarur energjetikisht dhe më të pastër. Është një nga zonat ku po shqyrtohet gërmimi për energji gjeotermale, një energji e rinovueshme që e ka burimin nën tokë.
Impianti i ngrohjes në një distrikt qendror të qytetit po gërmohet gjithashtu. Kancelari Olaf Scholz deklaroi javën e kaluar se synimi i vendit është pajisja me sa më shumë energji gjeotermale të jetë e mundur brenda 2030-s.
Lufta në Ukrainë detyroi Gjermaninë të reduktojë masivisht vartësinë nga gazi rus. Shoqata Gjeotermale Gjermane thotë se në këtë moment pati një rritje të interesit.
Por drejtori i grupit thotë se për të përhapur energjinë gjeotermale ka një seri pengesash.
“Ne nuk kemi mjaftueshëm para në treg për këtë lloj energjie. Qeveria po bën disa lëvizje në këtë drejtim, por nuk mjafton. Duhet të jemi shumë më të shpejtë për të mundësuar instalimet gjeotermale”, thotë Andre Deinhardt, drejtor i Shoqatës Gjeotermale Gjermane.
Një studim zbuloi se energjia gjeotermale mund të mbulojë çerekun e ngrohjes në Gjermani.
Qeveria lokale e Berlinit aktualisht po kërkon më shumë vende për energjinë gjeotermale. Ajo planifikon nisjen e gërmimeve në 2025-n. Por disa ambientalistë thonë se kjo nuk mjafton, se vendi duhet të eliminojë tërësisht përdorimin e karburanteve fosile.
“Nuk ka mënyrë tjetër për të qenë në linjë me marrëveshjen e Parisit sesa energjia e rinovueshme. Për këtë arsye është e rëndësishme që qeveria gjermane të ndalë investimet në karburantet tradicionale dhe të ecë 100 për qind drejt energjisë së rinovueshme”, shprehet Anike Peters, aktiviste e shoqatës ‘Greenpeace’.
Mbështetësit thonë se energjia gjeotermale do të ndihmojë Gjermaninë të bazohet tek burimet e saj, pasi është më e besueshme se ajo diellore.
“Nëse jemi të pavarur, energjia është më e lirë dhe e kemi në çdo kohë, sidomos kur nuk ka mjaftueshëm diell. Energjia gjeotermale është një fluks ngrohjeje që mund ta kemi 24 orë në 24”, thotë Deinhardt.
LEXONI GJITHASHTU:
- Gjermania miraton lehtësimin e procedurave për marrjen e nënshtetësisë
- Italia e Jugut do bëhet më e pasur se Gjermania e Franca, pretendon partia e Melonit