ANALIZA/ A është pushtimi i Gaza-s një manovër politike e Netanyahut?
Gati dy vjet pas fillimit të luftës në Gaza, kabineti izraelit i sigurisë votoi në favor të pushtimit të propozuar të Qytetit të Gazës. Plani, i iniciuar dhe promovuar nga vetë kryeministri Benjamin Netanyahu, zbulon qartazi se kemi të bëjmë me një manovër të brendshme politike dhe jo me një strategji ushtarake të menduar mirë.
Plani u miratua pavarësisht kundërshtimit të fortë nga udhëheqja ushtarake izraelite dhe paralajmërimeve serioze se ai mund të përkeqësojë krizën humanitare dhe të rrezikojë jetën e rreth 50 pengjeve ende të mbetura në Gaza. Zgjerimi i luftës ndodh gjithashtu në një kohë kur mbështetja ndërkombëtare për Izraelin është në rënie, dhe opinionit publik vendas po i zbehet përkrahja për vazhdimin e saj.
Megjithatë, Netanyahu ka vendosur të çojë përpara planin e tij, i cili i jep atij të paktën një përfitim të heshtur: kohë për të luftuar për mbijetesën politike. Me partnerët e tij të koalicionit nga e djathta ekstreme, kjo do të thotë zgjatje e konfliktit. Aleatët e tij, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, kanë penguar vazhdimisht përparimin në negociatat për armëpushim, duke kërcënuar rrëzimin e qeverisë në rast të përfundimit të luftës.
Plani për të rrethuar Qytetin e Gazës, në fakt, nuk përmbush as kërkesat e aleatëve të tij të koalicionit. Ben-Gvir dhe Smotrich kërkojnë pushtimin e plotë të enklavës si hap të parë drejt rindërtimit të vendbanimeve hebraike në Gaza dhe, në fund, aneksimit të saj.
Në një intervistë për Fox News të enjten, Netanyahu deklaroi se Izraeli synon të marrë kontrollin e gjithë Gazës, sikur të kishte vendosur ta pushtonte plotësisht. Megjithatë, ai ka zgjedhur një qasje me faza, duke u përqendruar fillimisht vetëm në Qytetin e Gazës dhe duke shmangur kampet përreth, ku besohet se mbahen shumë nga 20 pengjet e mbetura.
Ai gjithashtu caktoi një afat relativisht të lirshëm për fillimin e operacionit brenda dy muajsh duke lënë hapësirë për përpjekje diplomatike drejt një marrëveshjeje armëpushimi, apo edhe anulimin e plotë të operacionit. Kjo ka shkaktuar indinjatë mes aleatëve të tij të ekstremit të djathtë, të cilët e konsiderojnë planin të pamjaftueshëm dhe kërkojnë vetëm përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.
Një burim pranë Smotrich deklaroi: “Propozimi i udhëhequr nga Netanyahu dhe i miratuar nga kabineti mund të tingëllojë mirë, por në realitet është më shumë nga e njëjta gjë. Ky vendim nuk është as moral, as etik, as sionist.”
Plani i fundit i Netanyahut nuk po kënaq as partnerët e tij të koalicionit, as udhëheqjen ushtarake të Izraelit. Gjatë një takimi 10-orësh të kabinetit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, shprehu kundërshtimin e fortë të ushtrisë ndaj planeve për rimarrjen e territorit.
Gjenerali më i lartë izraelit paralajmëroi se një operacion i ri ushtarak do të rrezikonte si pengjet, ashtu edhe ushtarët izraelitë. Sipas tij, Gaza mund të kthehet në një kurth që do të shterojë më tej ushtrinë izraelite, tashmë të lodhur nga gati dy vjet luftime të pandërprera, dhe do të përkeqësojë krizën humanitare për popullin palestinez.
Izolimi ndërkombëtar
Këto shqetësime ushtarake reflektohen edhe në opinionin publik. Sipas sondazheve të përsëritura, shumica e izraelitëve mbështesin një marrëveshje armëpushimi që do të kthente pengjet dhe do t’i jepte fund luftës. Megjithatë, vendimmarrja e Netanyahut duket e shkëputur si nga këshillat ushtarake, ashtu edhe nga vullneti popullor. Analistët dhe kundërshtarët politikë thonë se vendimet e tij drejtohen nga nevoja e ngushtë për mbijetesë politike.
Plani i pushtimit të Gazës e ka vendosur Netanyahun dhe Izraelin në një izolim të thelluar ndërkombëtar. Edhe pse Shtëpia e Bardhë gjatë presidencës Trump mbështeti pa rezerva luftën, kriza humanitare në rritje ka dëmtuar rëndë legjitimitetin global të veprimeve izraelite. Pas vendimit të fundit të kabinetit, reagimet ishin të menjëhershme: Gjermania aleati i dytë më i rëndësishëm i Izraelit pas SHBA-së njoftoi pezullimin e disa eksporteve ushtarake drejt Izraelit, duke i hapur rrugën edhe vendeve të tjera të BE-së që të rishikojnë marrëdhëniet e tyre.
Plani i shërben mbijetesës politike të Netanyahut
Netanyahu po shtyn përpara një plan që nuk kënaq askënd – as aleatët ndërkombëtarë, as udhëheqjen ushtarake, as opinionin publik, por as partnerët e linjës së ashpër në koalicionin e tij. Plani i shërben kryesisht vetë atij, duke i dhënë më shumë kohë për të shmangur zgjedhjen mes një armëpushimi që mund të shpëtojë pengjet dhe një përshkallëzimi ushtarak që do të kënaqte aleatët ekstremistë.
Më shumë se një veprim strategjik, kjo përfaqëson një manovër klasike nga Netanyahu për të zgjatur luftën, duke përjetësuar vuajtjet si të popullit të Gazës, ashtu edhe të pengjeve izraelite të gjitha në funksion të mbijetesës së tij politike.
Reagimet ndërkombëtare
Franca ishte mes vendeve të para që kritikuan planin. Ministria e Jashtme franceze deklaroi të premten se plani i zgjerimit të luftës nuk do të kontribuojë në sigurinë e izraelitëve, përfshirë pengjet, dhe e dënoi atë në mënyrën më të prerë.
“Këto veprime do të përbënin shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe do të çonin në një ngërç të plotë. Ato do të minonin aspiratat legjitime të palestinezëve për të jetuar në paqe në një shtet të qëndrueshëm, sovran dhe të bashkuar, duke përbërë një kërcënim për stabilitetin rajonal”, tha ministria.
Irlanda: Kryeministri irlandez Michael Martin deklaroi se Irlanda “e dënon pa rezerva” planin e Izraelit dhe bëri thirrje për një “zgjidhje paqësore të bazuar në dy shtete”. Ai shtoi se “kjo tregon shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe do të ketë pasoja shkatërrimtare për popullsinë civile të Gazës.” Irlanda e njohu zyrtarisht shtetin palestinez në maj 2024 dhe ka një qëndrim të hershëm solidariteti me kauzën palestineze.
Kanada: Kryeministri Mark Carney tha se vendimi është “i gabuar” për Izraelin, nuk do të ndihmojë situatën humanitare dhe “do t’i vërë jetët e pengjeve në rrezik më të madh.” Ai shtoi se Kanadaja, së bashku me Francën dhe Britaninë, ka njoftuar planet për të njohur shtetin palestinez në shtator.
LEXONI GJITHASHTU:
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta