Andrej Babish fiton zgjedhjet në Çeki, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë
Ish-kryeministri i Çekisë, Andrej Babish ka shënuar rikthim dramatik, duke i fituar zgjedhjet parlamentare katër vjet pasi është larguar nga pushteti.
Por, ai tani përballet me negociata të vështira për të formuar shumicën qeverisëse.
Këto zgjedhje janë vëzhguar nga afër nga aleatë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për shkak të ndikimit që mund të kenë në politikat për Ukrainën.
Pas 95 për qind të votave të numëruara, rezultatet tregojnë se Babishi, miliarderi në krye të partisë ANO (PO) është fitues i qartë. Megjithatë, ai nuk e ka shumicën e ulëseve në Parlament, çka nënkupton se do t’i duhet të gjejë partnerë koalicioni.
Shumë analistë sugjerojnë se në qeverisje mund të përfshihet e djathta ekstreme, SPD, e cila ka bërë thirrje për largimin e Çekisë nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
“Nëse qeveria do të varet nga pozicioni apo mbështetja e SPD-së, atëherë situata do të jetë e komplikuar”, ka thënë Jan Machacek, këshilltar për çështje të jashtme i presidentit çek, Peter Pavel, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Machacek ka thënë se kjo do të ishte “situatë shumë e rrezikshme për politikën e jashtme, sepse SPD-ja është ekstremiste, shumë kundër Ukrainës dhe BE-së, dhe parti proruse”.
Babishi ka përdorur retorikë euroskeptike dhe ka sugjeruar se do t’i japë fund iniciativës çeke për të blerë municione për Ukrainën.
Megjithatë, 71-vjeçari e ka hedhur poshtë idenë e largimit nga BE-ja dhe NATO-ja.
Komentatori politik çek, Jiri Pehe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “do të jetë shumë e vështirë për Andrej Babishin që të krijojë koalicion stabil”, të bazuar në SPD-në apo Motoristët, grup i vogël opozitar, që ka hyrë në Parlament për herë të parë.
Partitë tjera, përfshirë pjesëtarë të qeverisjes aktuale, kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Babishin.
Babishi ka shprehur shpesh mbështetje për kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili i ka bllokuar disa vendime të BE-së për të sanksionuar Rusinë apo për të mbështetur Ukrainën.
LEXONI GJITHASHTU:
Komisionerët evropianë do vizitojnë Turqinë përpara samitit të NATO-s
Franca kërkon taksa të reja nga BE për të financuar buxhetin prej 2 trilion eurosh
Austri, Partia Komuniste fiton zgjedhjet lokale në Graz
- 12:09 Largimi i Koçekut nga grupi parlamentar, Balla: Të dorëzojë mandatin, ja ka dhënë PS
- 11:51 U lanë të flinin në makinë në kulmin e të nxehtit, humbin jetën dy të mitur në Qipro
- 11:45 “Tullumbacja plasi në sytë e shqiptarëve”, Balla: Sot protestën atyre që e nisën, ua kanë vjedhur
- 11:37 Uji përmbyt rrugën në Virxhinia, momenti kur polici shpëton gruan e bllokuar në një gropë 2.5 metra të thellë
- 11:25 Mbyllet mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, zbardhen diskutimet
- 11:21 Vala e të nxehtit në Evropë, policia e Berlinit freskon me ujë fansat në koncertin e Bruno Mars-it (VIDEO)