Argjentina me dilema në formacion para debutimit, Tagliafico mungon ndaj Algjerisë

15 Qershor 2026 | 16:45

Argjentina ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e saj të parë në Grupin J, ndërsa trajneri Lionel Scaloni vazhdon të ketë disa dilema sa i përket formacionit titullar.

Mungesa e vetme e konfirmuar është ajo e Nicolás Tagliafico, i cili nuk do të jetë i disponueshëm për sfidën hapëse. Sipas raportimeve të gazetarit Diego Monroig për ESPN Mundial, stafi teknik po shqyrton dy skema të ndryshme loje: një mbrojtje me katër lojtarë ose një rreshtim me tre qendërmbrojtës.

Një lajm pozitiv për “Albicelesten” është rikthimi i portierit Emiliano “Dibu” Martínez. Gardiani argjentinas po përfundon rikuperimin pas frakturës së pësuar me Aston Villan dhe pritet të jetë titullar në debutimin ndaj Algjerisë.

Në repartin defensiv, vendi i lënë bosh nga Tagliafico mund të plotësohet nga Lisandro Martínez ose Facundo Medina. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Cristian “Cuti” Romero do të jetë gati për të nisur ndeshjen nga minuta e parë. Në rast se Romero mungon, Martínez do të spostohet në qendër të mbrojtjes përkrah Nicolás Otamendit, ndërsa Medina do të aktivizohet në krahun e majtë.

Mesfusha duket e konsoliduar me Rodrigo De Paul, Enzo Fernández dhe Alexis Mac Allister, ndërsa Thiago Almada është favorit për të fituar një vend në formacion përpara Exequiel Palacios.

Edhe sulmi mbetet një pikëpyetje për Scaloni-n. Lionel Messi është i padiskutueshëm në formacion, por partneri i tij në repartin ofensiv do të përcaktohet mes Lautaro Martínez dhe Julián Álvarez. Sipas burimeve pranë ekipit, aktualisht Lautaro është në avantazh, megjithëse gjendja fizike e Álvarez do të vlerësohet deri në momentet e fundit.

Ndërkohë, trajneri argjentinas ka konfirmuar Marcos Senesin si zëvendësues të Leonardo Balerdit, i cili u detyrua të largohej nga lista përfundimtare prej 26 futbollistësh për shkak të dëmtimit.

Formacioni i mundshëm i Argjentinës ndaj Algjerisë:

Me katër mbrojtës: Emiliano Martínez; Gonzalo Montiel, Cristian Romero (ose Lisandro Martínez), Nicolás Otamendi, Facundo Medina; Rodrigo De Paul, Enzo Fernández, Alexis Mac Allister; Lionel Messi, Thiago Almada dhe Lautaro Martínez (ose Julián Álvarez).

Me tre mbrojtës: Emiliano Martínez; Cristian Romero, Nicolás Otamendi, Lisandro Martínez; Giuliano Simeone, Rodrigo De Paul, Enzo Fernández, Alexis Mac Allister; Lionel Messi, Thiago Almada dhe Lautaro Martínez (ose Julián Álvarez).

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

​Kupa e Botës 2026, Egjipti kërkon hetim ndaj ekipit të arbitrave në ndeshjen kundër Argjentinës

Federata e Futbollit e Egjiptit ka paraqitur ankesë zyrtare në FIFA, duke kërkuar hetim ndaj ekipit të arbitrave që ndau drejtësinë në ndeshjen e 1/8...
16:30 | 08/07/2026

Dorëhiqet trajneri më i suksesshëm i Kroacisë, Daliç mbyll kapitullin 9-vjeçar

Trajneri i Kombëtares së Kroacisë, Zlatko Daliç, ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në krye të “Vatrenëve”,...
16:05 | 08/07/2026

Belgjika arrin në çerekfinale, por Kupa e Botës ka mbaruar për mesfushorin Onana

Belgjika e Rudi Garcias u kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Botës me një performancë të shkëlqyer. Brenda natës, “Djajtë e Kuq” i mposhtën Shtetet e Bashkuara të Mauricio Pochettinos me rezultatin 4-1 , duke i...
13:25 | 08/07/2026