Arrestimi i bosit të ‘Telegram’, francezët ngrenë akuzat; Moska: Akt politik

27 Gusht 2024 | 18:47

Themeluesi i “Telegram”, Pavel Durov u arrestua në kuadër të një hetimi të autoriteteve franceze për një seri shkeljesh të kryera nga rrjeti social, që variojnë nga qarkullimi i materialeve pornografike me të mitur, tek transaksionet ilegale dhe trafiku i narkotikëve.

Lajmin e bëri të ditur ditën e martë Prokuroria e Parisit, e cila gjithashtu njoftoi se gjendja e arrestit në dëm të Durov ishte zgjatur me 48 orë.

Ndaj miliarderit rus rëndojnë edhe akuzat e refuzimit të bashkëpunimit me autoritetet franceze, fshehjes së dokumenteve që do të ndikonin në zbardhjen e krimeve dhe ofrimit të shërbimit të kodifikimit të mesazheve për të mbrojtur shkelësit e ligjit, kryesisht trafikantë droge.

Por pavarësisht akuzave, rasti i Durov rrezikon të kthehet në një çështje politike. Në Moskë, shefi i Dumës ruse, Vjaçesllav Volodin ka deklaruar se prapa arrestimit të tij qëndrojnë Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe një zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete ruse, sipas të cilit administratës së presidentit Biden i intereson të marrë nën kontroll rrjetin “Telegram”.

Duke reaguar, Kremlini ka deklaruar se Durov nuk  do t’u japë informacione agjencive perëndimore të inteligjencës. “Pa prova konkrete, arrestimi i tij është një akt politik”, ka deklaruar zyra e shtypit.

Të hënën, presidenti Emmanuel Macron mohoi që arrestimi të kishte ngjyrime politike. “Arrestimi u bë në kuadër të një hetimi të autoriteteve gjyqësore dhe në asnjë mënyrë nuk ishte një vendim politik”, deklaroi Macron, duke shtuar se u takonte gjyqtarëve të vendosnin mbi çështjen.

Ndërsa drejtuesit e rrjetit “Telegram”, në një reagim i quajtën “absurde” pretendimet se platforma ishte përgjegjëse për krimet e rënda që i atribuohen.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarret vdekjeprurëse në Spanjë, 12 nga 13 viktimat ishin të huaj

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se shtatë britanikë janë midis 12 të huajve të vrarë në zjarret në Spanjën jugore. Zyrtarët thanë se 12 nga 13 viktimat ishin...
08:28 | 15/07/2026

Rritet numri i të rinjve gjermanë që refuzojnë shërbimin ushtarak, ndërsa Berlini përpiqet të fuqizojë ushtrinë

Numri i të rinjve refuzojnë shërbimin ushtarak të armatosur në Gjermani është rritur ndjeshëm këtë vit, duke minuar një përpjekje të Berlinit për të krijuar ushtrinë më...
21:12 | 14/07/2026

Lavrov: Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit mbyllin dyert për marrëveshje

Ministri i Jashtëm Rus Sergey Lavrov ka deklaruar se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit i japin fund mundësisë për një marrëveshje të përkohshme paqësore. Ai...
19:19 | 14/07/2026