Austri, e djathta ekstreme synon fitoren në zgjedhjet parlamentare
Austriakët po votojnë të dielën për një parlament të ri, ku Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO) po synon të sigurojë fitoren e saj të parë në zgjedhjet e përgjithshme, gjë që do të shkaktonte mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë.
FPO ka kryesuar sondazhet për muaj të tërë, por epërsia e saj ndaj Partisë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer, pothuajse është zhdukur në një fushatë ku kanë mbizotëruar shqetësimet e votuesve mbi ekonominë dhe emigracionin.
Cilado forcë politike që të fitojë nuk do të ketë një shumicë absolute, sipas sondazheve, por do të kërkojë të drejtën për të drejtuar një qeveri koalicioni.
Qendrat e votimit u hapën në mëngjes dhe parashikimet e para për fituesin priten disa minuta pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 17:00.
“Gjëja më e rëndësishme është nëse do të jetë FPO-ja që do të ketë të drejtën të emërojë kancelarin apo jo. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të ndryshojë thellësisht. (Kreu i FPO-së Herbert) Kickl ka thënë shpesh se (kryeministri hungarez) Viktor Orban është model për të”, thotë Kathrin Stainer-Haemmerle, profesore e shkencave politike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Carinthia.
Kancelari Nehammer e ka paraqitur veten si një burrë shteti dhe e përshkruan rivalin e tij, udhëheqësin e FPO-së, Herbert Kickl, si një kërcënim toksik.
Zoti Kickl e ka quajtur veten një mbrojtës të neutralitetit austriak dhe ka thënë se do të pastrojë vendin pas viteve të dështimeve në qeverisje.
Një fitore e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit të BE-së që shënon mbështetje në rritje të së djathtës ekstreme, pas forcimit të kësaj prirjeje në vende si Holanda, Franca dhe Gjermania.
FPO euroskeptike, e cila është kritike ndaj fesë Islame dhe ka premtuar rregulla më të ashpra për azilkërkuesit, fitoi një votë kombëtare për herë të parë në qershor, kur mundi OVP-në me më pak se një për qind në zgjedhjet evropiane.
OVP, e cila ashtu si FPO mbështet rregulla më të ashpra të imigracionit dhe ulje taksash, është e vetmja parti e hapur për të formuar një koalicion me partinë e ekstremit të djathtë. Megjithatë Kancelari Nehammer thotë se partia e tij nuk do të formojë një qeveri me FPO-në nëse zoti Kickl është pjesë e saj.
LEXONI GJITHASHTU:
Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
I dënuar me 10 vite burg për spiunazh, Irani i shton edhe dy vite dënim britanikut: Foli me mediat
Burnham: Nevojitet rishikim i sigurisë së deputetëve pas vdekjes së ish-ministres Widdecombe
- 12:40 Gjendet e vdekur një foshnje në një festival në Miçigan, FBI shpërblim prej 15,000 dollarësh për identifikimin e autorëve
- 12:28 Vrasja e Martin Canit, Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn
- 12:25 SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa
- 12:17 Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
- 12:13 Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë
- 11:57 Kontrolle për ndotjen akustike në Shkodër dhe Velipojë, policia monitoron lokalet me muzikë