Biden dënon sulmet e izraelitëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

25 Tetor 2023 | 22:22

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar sulmet hakmarrëse nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Ai tha se po dyfishon përkushtimin e tij në punën për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve.

Biden tha se sulmet “nga kolonët ekstremistë” po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, ku situata është tensionuar që nga sulmet e Hamasit.

“Kjo duhet të ndalet. Ata duhet të mbahen përgjegjës”, tha Biden, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, i cili po viziton Uashingtonin.

Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është intensifikuar që nga sulmet e Hamasit dhe kolonët kanë vrarë palestinezë, kanë thënë autoritetet palestineze. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se kolonët kanë djegur vetura dhe kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduinësh, duke i detyruar ata të evakuohen në vende të tjera.

Konsorciumi për Mbrojtjen e Bregut Perëndimor koalicion i organizatave joqeveritare dhe shteteve donatore, përfshirë edhe Bashkimin Evropian – tha se qindra palestinezë janë zhvendosur me forcë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës së kolonëve që nga 7 tetori.

Dhuna vdekjeprurëse ka mbërthyer Bregun Perëndimor, përderisa ushtria izraelite po ndjekë militantët palestinezë pas sulmit të Hamasit nga Gaza.

Dhuna po kërcënon që të hapet edhe një front i ri në luftën tashmë dyjavore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Biden sërish dënoi sulmet e Hamasit që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë.

Presidenti amerikan tha se pasi të përfundojë konflikti Izrael-Hamas, Izraeli, palestinezët dhe partnerët e tyre duhet të punojnë në zgjidhjen me dy shtete.

“Kur të përfundojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë do të ndodhë më pas. Ne mendojmë se duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, tha se mbi 6.500 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve hakmarrëse të Izraelit. Biden tha se është kritike që Izraeli të ketë kujdes gjatë përgjigjes së tij që të minimizojë numrin e viktimave në mesin e civilëve.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026