Biden njofton një ndihmë të re ushtarake prej 225 milionë dollarësh për Ukrainën

12 Korrik 2024 | 08:20

Presidenti Joe Biden njoftoi një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën të enjten në samitin e NATO-s në Uashington.

Presidenti e bëri njoftimin për ndihmën prej 225 milionë dollarësh gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.

Ndihma do të përfshijë armë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë forcat ruse, si raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe NASAMS, raketa kundërajrore “Stinger” dhe predha artilerie, shkruan VOA.

Zoti Zelenski falënderoi presidentin Biden dhe shtoi se Ukraina gjithashtu ka nevojë për disa “hapa të shpejtë … për të hequr kufizimet për ushtarët tanë ukrainas”, duke iu referuar kufizimeve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur për përdorimin e armëve të tyre.

Të mërkurën, Presidenti Zelenskyy shprehu optimizëm se forcave të tij do t’u jepet më shumë liri për të përdorur armët e furnizuara nga Perëndimi për të goditur objektivat ruse, që zyrtarët ukrainas e kanë kërkuar me arsyetimin se mund t’i ndihmojë ata të mbrohen më mirë nga sulmet ruse.

Ndërsa Zelenski vizitoi Kapitolin në Uashington për t’u takuar me udhëheqësit e Kongresit, Shërbimi ukrainas i Zërit të Amerikës e pyeti nëse ai mendonte se do të hiqen të gjitha kufizimet ndaj ushtrisë ukrainase.

“Ne llogarisim në këtë”, tha ai.

Zoti Zelenski është takuar edhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe udhëheqësin e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.

“Unë i shpjegova se vullneti i Kongresit është që të ketë liri për të përdorur armët dhe ndihmën që u kemi dhënë në përputhje me rrethanat në luftë dhe ashtu siç e shohin të arsyeshme”, tha zoti Johnson për Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës. “Unë besoj se kjo është ajo që Kongresi synonte.”

Ligjvënësi Jeffries tha se bisedimet me zotin Zelenski ishin “shumë pozitive”.

“Ne e bëmë të qartë se mbështesim fuqishëm popullin e Ukrainës në luftën e tij të guximshme kundër agresionit rus”, tha ai për Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës.

Sulme të reja ruse në Ukrainë

Ushtria e Ukrainës tha të enjten se forcat ruse sulmuan rajonin Sumi gjatë natës me dy raketa balistike.

Forcat ajrore ukrainase thanë gjithashtu se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi të gjashtë dronët ajror të lëshuar nga Rusia, me ndihmën e sistemeve të mbrojtjes ajrore mbi rajonet Ivano-Frankivsk, Khmelnitski, Lviv dhe Mikolaiv.

Vitali Kim, guvernatori rajonal i Mikolaivit, tha se mbetjet nga një dron i rrëzuar shkaktuan një zjarr, por se nuk pati të lënduar nga sulmi.

Zyrtarët në Khmelnitski dhe Lviv nuk raportuan për dëme apo viktima në zonat e tyre.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shkatërroi dy dronë ajror ukrainas mbi rajonin Briansk, një dron mbi rajonin Tambov, një mbi Tula dhe një tjetër mbi rajonin e Moskës.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Carney dhe Trump zhvillojnë një bisedë telefonike, çfarë u diskutua

Kryeministri kanadez Mark Carney tha të enjten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e telefonoi të mërkurën përpara bisedimeve të NATO-s, duke përshkruar një bisedë...
20:57 | 25/06/2026

NATO do njoftojë dhjetëra miliardë dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin e Ankarasë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se aleanca do të zbulojë dhjetëra miliarda dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin...
20:55 | 25/06/2026

Pamje nga ajri, imazhet e shkatërrimit nga tërmetet katastrofike në Venezuelë (VIDEO)

Pamjet e marra nga ajri tregojnë nivelin e shkatërrimit nga 2 tërmetet 7,2 dhe 7,5 të shkallës rihter që goditën Venezuelën. Të paktën 188 persona...
20:54 | 25/06/2026