Bilanci i luftës 4-vjeçare, BE: Rusia dështoi. Moska: Nuk ndalemi deri në arritjen e objektivave

24 Shkurt 2026 | 14:04

Kjo e martë shënon 4-vjetorin e nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, me liderët e Bashkimit Evropian që u mblodhën në Kiev pranë presidentit Zelensky në shenjë mbështetjeje.

Të pranishëm në kryeqytetin ukrainas kanë qenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit, Antonio Costa dhe zyrtarë të tjerë të spikatur.

Në fjalën e saj, presidentja Von der Leyen deklaroi se paqja në Ukrainë duhet të arrihet sipas kushteve të Kievit dhe jo atyre të Moskës.

Ndërsa Costa kritikoi veton hungareze për bllokimin e huasë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. “Vetoja është e papranueshme, por drita e gjelbër do të vijë”, tha Costa.

Ndërsa vetë presidenti Zelensky nënvizoi se ndihma financiare duhet të miratohet dhe se Ukrainës i duhet një datë e qartë për bashkimin me BE-në, për të ndalur përpjekjet e Rusisë për të përçarë Evropën.

Ai tha gjithashtu se presidenti rus Putin dështoi me luftën e tij, por i drejtoi një apel edhe presidentit amerikan Donald Trump, duke i kërkuar që të mos bjerë në kurthin e kreut të Kremlinit.

Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron reagoi përmes një postimi në rrjetin “X”, ku u shpreh se dështimi i Rusisë me luftën është i trefishtë.

“Kjo luftë është një dështim i trefishtë për Rusinë: ushtarak, ekonomik dhe strategjik. Lufta përforcoi NATO-n, të cilën përpiqej ta pengonte, bashkoi evropianët që synonte t’i dobësonte dhe nxori në pah brishtësinë e një imperializmi të harruar”, tha Macron.

Me një reagim të ngjashëm, kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi se fati i Ukrainës është edhe fati i Evropës. “Lufta është kthyer në Evropë dhe vetëm me një forcë të përbashkët mund t’i japim fund. Sepse fati i Ukrainës është edhe fati ynë”, tha Merz.

Ndërkohë, Moska zyrtare reagoi duke paralajmëruar se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha objektivat e “operacionit special ushtarak”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova përsëriti se objektivat në fjalë mbeten demilitarizimi i Ukrainës dhe mposhtja e regjimit nazist të saj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar këtë të enjte propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro dhe ka hapur një...
22:33 | 23/07/2026

Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite

Raporti “Ndërtimi i Gazës nga e Para”, i bashkëautorizuar nga Oxfam, Instituti i Kërkimeve të Politikave Ekonomike të Palestinës (MAS) dhe Qendra Tregtare e Palestinës...
22:26 | 23/07/2026

BE miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, goditen bankat, nafta dhe “flota në hije”

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e 21-të të masave kufizuese kundër Rusisë, duke zgjeruar sanksionet ndaj sektorëve që, sipas Brukselit, mbështesin ekonominë ruse...
21:13 | 23/07/2026