Bizneset në Durrës marrin punonjës të huaj në prag të nisjes së sezonit turistik

24 Mars 2026 | 19:46

Përshëndetjet e punonjësve të huaj në gjuhën shqipe në hotele apo njësi shërbimi në Durrës nuk janë më një risi. Vitet e fundit, sektori i turizmit po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e ardhur nga jashtë, ndërsa bizneset thonë se e kanë të vështirë të gjejnë staf vendas.

Dona është 26 vjeçe dhe vjen nga Filipinet. Prej rreth një viti ajo punon në një hotel në zonën e plazhit në Durrës dhe thotë se është përshtatur shpejt me jetën dhe punën në Shqipëri.

“Erdha për të punuar në Shqipëri 9 muaj më parë si kamariere. Më pëlqen shumë vendi juaj, më pëlqen kultura. Të gjithë njerëzit janë shumë miqësorë”, tha Dona Cruz.

Për operatorët turistikë, punësimi i të huajve po shihet si një zgjidhje praktike, edhe pse shpesh ka kosto shtesë për akomodim dhe ushqim.

“Kemi prej 3 vitesh që marrim punëtorë të huaj, kryesisht punojmë me filipinas. Arsyeja është korrektësia që ata kanë, pasi të nesërmen nuk kemi surpriza nëse do i kemi punëtorët në punë apo jo, siç na ndodh rëndom me punëtorët shqiptarë që marrim një mesazh në mëngjes që jam sëmurë dhe nuk vij sot në punë. Aktualisht kam 8 punëtorë të huaj, kryesisht filipinas, por edhe nga Maroku dhe Bangladeshi. Paga shkon njësoj, është kosto akomodimi dhe ushqimi, por të mirat janë korrektësia dhe përgjegjësia në punë”, shtoi Emiljan Isai – Administrator biznesi.

Agjencitë e punësimit konfirmojnë se ky trend është në rritje dhe se kërkesa për punëtorë të huaj po shtohet nga viti në vit, sidomos në sektorët ku mungon fuqia punëtore vendase.

“Çdo vit numri i punonjësve të huaj në Shqipëri vjen në rritje, pasi në këto momente është zgjedhja e vetme. Sektorët në zhvillim janë ata që kërkojnë më shumë punonjës, përkatësisht hoteleria dhe ndërtimi. Në 5-vjeçarin e fundit shifrat janë rritur frikshëm. Në këto momente disiplina… punonjësit shqiptarë janë të paktë në numër, nuk kanë dëshirë të punojnë në sektorë si sanitare, kamarier, banakier”, theksoi Suzaga Aga – Agjente punësimi.

Ndërsa sezoni turistik pritet të rrisë edhe më shumë kërkesën për staf, bizneset paralajmërojnë se pa punëtorët e huaj shumë shërbime do ta kishin të vështirë të funksiononin normalisht. Numri i shtetasve të huaj të punësuar në Durrës nuk ka shifra zyrtare, por bëhet fjalë për mbi 5000 shtetas të huaj që jetojnë dhe punojnë në qytetin bregdetar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Pushteti do të krijojë idenë e një proteste të dhunshme”, gazetari Stafa: Dhuna jo proporcionale

Gazetari Osman Stafa i ftuar këtë të hënë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka dhënë detaje lidhur me protestën e sotme...
21:19 | 27/07/2026

Dita e 58-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Protesta qytetare vijon në ditën e 58-të të saj teksa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skëndërbej”...
20:41 | 27/07/2026

Mori një kopje të marrëveshjes së huasë me SHBA-në, Rama i reagon Shehajt: Dëshmoi se vesi del me shpirtin

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar këtë të hënë ku deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia,...
19:38 | 27/07/2026