Blinken në Lindjen e Mesme për ‘të shitur’ marrëveshjen e armëpushimit në Gaza
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Egjipt teksa po përpiqet të krijojë mbështetje rajonale për një projekt-marrëveshje paqeje në Gaza, të zbuluar së fundmi nga Presidenti Joe Biden.
Sipas mediave të huaja, kryediplomati amerikan është në vizitën e tij të tetë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza.
Blinken fillimisht do të takohet me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, përpara se të bisedojë më vonë të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ndërmjetësuesit në rajon, ku përfshihet edhe Katari, janë përpjekur për muaj të tërë të negociojnë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.
Netanyahu është zotuar se do t’i rezistojë çdo marrëveshjeje të tillë derisa të shkatërrohen aftësitë ushtarake e qeverisëse të Hamasit dhe të lirohen të gjithë pengjet.
Të shtunën, forcat izraelite, të mbështetura nga sulmet ajrore, liruan katër robër të tjerë pas luftimeve intensive me armë me Hamasin në dhe rreth kampit të refugjatëve Nuseirat.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se sulmi vrau 274 njerëz, duke përfshirë fëmijë dhe civilë të tjerë. Izraeli thotë se më pak se 100 njerëz vdiqën në operacion.
Pas ofensivës, udhëheqësi politik i Hamasit tha se grupi nuk do të pajtohej me një marrëveshje armëpushimi nëse nuk arrinte sigurinë për palestinezët.
Blinken do të përdorë udhëtimin e tij për të nxitur liderët arabë që t’i bëjnë presion Hamasit që të pranojë marrëveshjen e armëpushimit për lirimin e pengjeve që SHBA-ja kërkon dëshpërimisht.
Plani trefazor i paraqitur 10 ditë më parë nga zoti Biden do të përfshinte një armëpushim gjashtë-javor që do të bëhej i përhershëm dhe rindërtimin e Gazës me ndihmën ndërkombëtare.
Presidenti e quajti atë propozim të Izraelit, në një përpjekje për të nxitur në mënyrë efektive të dy palët në përparim.
Zyrtarët e zotit Biden pretendojnë se teksti është “pothuajse identik” me atë të miratuar nga Hamasi muajin e kaluar. “E vetmja gjë që pengon arritjen e këtij armëpushimi është Hamasi. Është koha që ata ta pranojnë marrëveshjen,” tha Blinken të shtunën.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa
Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë
- 12:28 Vrasja e Martin Canit, Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn
- 12:25 SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa
- 12:17 Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
- 12:13 Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë
- 11:57 Kontrolle për ndotjen akustike në Shkodër dhe Velipojë, policia monitoron lokalet me muzikë
- 11:53 Ekonomia e Kinës humbet ritmin, Pekini përballet me sfida të reja! Nuk arrin objektivin