Çfarë nënkupton ndalimi i TikTok-ut për konkurrencën SHBA-Kinë

19 Janar 2025 | 13:16

TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është ndaluar në Shtetet e Bashkuara më 19 janar, duke bërë që miliona përdorues të mos kenë qasje në platformën popullore për video.

Aplikacioni u hoq nga dyqanet e aplikacioneve, përfshirë nga ato që operohen nga Apple dhe Google, ndërkaq në ueb-faqen e TikTok-ut iu tha përdoruesve se më nuk do të kenë qasje në platformë. Ndalesa nisi disa orë para se të hynte në fuqi ligji federal që kërkonte ndalimin e TikTok-ut.

Ajo çfarë do të ndodhë pas ndalimit të TikTok-ut do të ketë pasoja të mëdha për konkurrencën globale në fushën e teknologjisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund të përcaktojë raportet e presidentit në ardhje, Donald Trump, me Pekinin.

Platforma për video është aplikacioni i parë global i Kinës dhe ia ka kaluar me performancë rivalëve, që janë në pronësi të SHBA-së, sikurse Instagram, Facebook apo X.

Çështja e pronësisë kineze ishte ajo që e vendosi TikTok-un në shënjestër të Kongresit amerikan, i cili në prill të vitit 2024 miratoi një ligj lidhur me shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhit. Ligji i kishte kërkuar ByteDance që ta shiste aplikacionin deri më 19 janar apo, në të kundërtën, do të përballej me ndalesë.

Përderisa kritikët e ndalesës thonë se të dhëna të ngjashme dhe shqetësime për privatësinë ekzistojnë edhe për platformat e mediave sociale të SHBA-së, çështja e pronësisë kineze i shton një dimension të ri.

Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës.

Më 2023, një gazetare britanike tha se të dhënat dhe vendndodhja e saj u gjurmuan nga punonjësit e TikTok-ut në Kinë dhe në SHBA. Dokumentet gjyqësore në SHBA të një ish-punonjësi të ByteDance po ashtu përshkruan se si Partia Komuniste e Kinës kishte qasje në të dhënat e kompanisë për të spiunuar protestuesit prodemokracisë në Hong Kong më 2018.

E gjithë kjo po ndodh mes tensioneve të rritura ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit si dhe në mes të shqetësimeve në rritje për spiunazh dhe hakim kinez në SHBA.

Trump ka lënë të kuptohet se është kundër ndalimit, pasi fillimisht e kishte mbështetur një lëvizje të tillë. Ai tha më 17 janar se vendimi i tij për TikTok-un “do të merret në të ardhmen jo shumë të largët”. Ai po ashtu zbuloi se kishte biseduar me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, dhe veç tjerash, kishte diskutuar edhe për TikTok-un.

Mandati paraprak i Trumpit si president, nga viti 2016 deri më 2020, ishte karakterizuar me një qëndrim të ashpër karshi Kinës dhe me shënjestrim të kompanive kineze në Kinë dhe jashtë vendit, duke nisur nga infrastruktura e telekomunikimit 5G e deri te firmat e kamerave mbikëqyrëse. Ky qëndrim i ashpër ishte në kontekstin e thellimit të garës teknologjike mes Pekinit dhe Uashingtonit.

TikTok është versioni ndërkombëtar i Douyin-it të ByteDance, i cili shërben për tregjet në Hong Kong dhe Kinë dhe i përmbahet aparatit të rreptë të censurës të Pekinit. Teksa është një biznes i suksesshëm, popullariteti dhe ndikimi i tij i kanë dhënë një shtysë globale Pekinit. Mosgatishmëria e ByteDance për ndryshimin e pronësisë tregon vlerën që i jep algoritmit që e ka krijuar dhe që TikTok-u të vazhdojë të jetë kompani kineze.

Se si do ta trajtojë Trumpi këtë ndalesë mund të jetë një sinjal i hershëm se si ai do t’i qaset raporteve me Kinën dhe për llojin e dinamikës që ai do të ketë me Xi-në.

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: SHBA-ja është “e harmonizuar” me aleatët në Gjirin Persik sa i përket Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka synuar t’i sigurojë aleatët e Gjirit Persik se Uashingtoni do të mbetet “plotësisht i harmonizuar” me partnerët rajonalë,...
21:28 | 24/06/2026

Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale

Bitcoin ka rënë me rreth 5% të mërkurën, duke zbritur nën nivelin psikologjik prej 60,000 dollarësh, mes një presioni të shtuar të shitjeve në tregjet...
20:10 | 24/06/2026

Trump: Irani po bën lëshime të mëdha

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Irani po ofron lëshime të rëndësishme në kuadër të negociatave që po zhvillohen...
20:07 | 24/06/2026