DASH: Mbështesim përpjekjet për të gjetur e ndëshkuar përgjegjësit e sulmit në veri

2 Dhjetor 2024 | 07:57

Departamenti amerikan i Shtetit tha të dielën se mbështet përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit për sulmin e së premtes, që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

“Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjithë mbështetjen për këtë përpjekje”, shkroi në platformën X zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, duke shpërndarë reagimin e dy netëve më parë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Komentet e zotit Miller, janë vazhdën e reagimeve të diplomacisë perëndimore e cila e dënoi gjerësisht sulmin dhe ofroi mbështetje për Prishtinën në përballimin e situatës së krijuar pas tij.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi përsëri Serbinë të dielën për përfshirje në shpërthimin e së premtes që ndërpreu furnizimin me ujë dhe energji elektrike të një pjese të mirë të vendit, pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron prapa sulmit.

“Ne besojmë se Serbia po financon këto sulme kriminale në luftën kinetike kundër Kosovës. Por, kjo po mundësohet në bashkëpunim dhe bashkërendim me Federatën Ruse”, tha ai.

Ai tha se në operacionin e së shtunës gjatë të cilit arrestuan tetë persona të dyshuar për përfshirje janë gjetur edhe emblema të ndryshme që përdoren nga njësitë ushtarake të Rusisë. Njërit prej të arrestuarve të dielën iu dha masa e paraburgimit prej një muaji.

Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.

Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron prapa sulmit.

“Si shtet serioz, ne nuk u angazhuam në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha ai.

Presidenti serb tha se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ngjarjet e fundit po dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta parandaluar terrorizmin dhe se sipas tij veprimet e saj po nxisin destabilizimin në rajon.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026