Deputeti Alimadhi dhe bashkëshortja të prekur nga COVID-19: Mos na gënjeni e mashtroni

27 Mars 2020 | 13:58

Adriatik Alimadhi, deputet i Kuvendit dhe kryetar i Partisë Balli Kombëtar, ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Përmes një letre publike dërguar Kryeministrit, ai tregon se, mësoi se ishte prekur nga virusi pasi u paraqit në urgjencë.

Deputeti ankohet se pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore të tij dhe bashkëshortes, e cila gjithashtu është e infektuar, askush nuk është kujdesur për t’u ofruar shërbim spitalor.

Letra për Kryeministrin, Edi Rama:

I nderuar z. Kryeministër!

Nuk kisha ndërmend ta bëja publike gjendjen time shëndetësore pasi analizat nga ISHP më nxorën pozitiv. Duke ju parë ju dhe ministren e shëndetësisë me të cilën shëtisnit shumë serbes sepse e keni vënë përpara këtë popull duke i thënë vetëm futuni brenda…Mirë keni bërë dhe për këtë jemi shumë dakord! Bashkëshortja të cilën e ka kapur edhe atë virusi po më thoshte si nuk kanë turp këta, si gënjejnë këta, si mashtrojnë këta?!

E kjo kuptohet sepse ime shoqe dinte dhe po ndjek gjithë ecurinë time.

Po ju përshkruaj çfarë kam bërë unë si proces: Në datë 24 të këtij muaji në orët e vona të natës u paraqita në urgjencë. Më bënë vizitën, analizat, si dhe një grafi për mushkëritë. Doktoresha më tha që duhet të shkoja për vizitë në sanatorium dhe ashtu bëra. Më shoqëruan me ambulancë. Po çfarë ambulancë flisni ju more? Kur hipa në të si në frigorifer, me xhama të hapura që nuk mbylleshin. Ç’të them! Një mjet qe nuk i plotësonte kurrë parametrat për të sëmurë.

Dakord, shkova në sanatorium, doktorët atje ishin shumë korrekt dhe pasi më morën të gjitha analizat më thanë ejani nesër në mëngjes për të bërë një skaner. Ashtu bëra, ata më bënë edhe tamponin. Shkova në orën 8 të mëngjesit bëra skanerin, i cili më nxori me probleme në mushkëri. Pasi e kishte parë doktoresha më thotë se dyshojnë për  COVID- 19. Gjithsesi, më tha ajo, këtë do ta japim kur të marrim përgjigjen e analizave nga ISHP, pas orës 16, të datës 24 mars. Ashtu bëra, pas  orës 18 po të asaj dite më merr në telefon doktoresha dhe me thotë se përgjigja e ISHP është që kisha dalë pozitiv.

Po atë ditë njoftova kryetarin e Kuvendit me një SMS mbi gjendjen time shëndetësore. Për hir të së vërtetës më mori menjëherë në telefon dhe më pyeti për gjendjen shëndetësore. I kërkova ndërhyrjen e tij pranë autoriteteve përkatëse. Po ashtu ai më mori përsëri sot në telefon duke më pyetur përsëri për gjendjen shëndetësore, më pyeti nëse ka pasur interesim apo jo.  I thash jo dhe asgjë deri tani. Si ore jo tha…fare, fare? Po deri tani  asnjë interesim. Mirë më tha se po interesohem unë dhe për këtë e falënderoj.

Po mirë z. Kryeministër, analizat kanë dalë që në datën 24 sot data 27, si nuk tregohet aspak interesim? Po mirë kjo, njerëzit e mi të dashur që kam qenë në kontakt i bien 127 dhe interesohen për mua, përgjigja e tyre e dini cila është; keni temperaturë pini paracetomol e tjera…

Po mirë ata, po unë që kam dalë pozitiv, ku është interesimi? Çfarë duhet të bej unë tani?

Kartela ime është në urgjencën e spitalit Sanatorium. Analizat i ka bërë ISHP, ku çohen më pas? Sigurisht që procesin duhet ta ndjek unë por kur bëra analizat ata më kërkuan numrin e telefonit dhe do më njoftonin prej tij. Pra qe ta kuptosh për mua nuk ka fare interesim dhe po të them mos bëj propagandë; Do vijnë kaq ambulanca;  Do bëhen gati kaq shtretër dhe do bëhen spitale. Kur do behën? Kur të vdesin njerëzit?! Shqiptarët?!Thuaj shyqyr Zotit që shqiptarët po të rrinë në shtëpi ashtu siç po veprohet dhe janë marrë masa në vendet e prekura para nesh. Mirëpo, lëri pallavrat, gjithçka që iu serviret shqiptarëve nga ju është false. Ata po lëngojnë në shtëpitë e tyre, ashtu si edhe unë me bashkëshorten time.  Po luftojnë me jetën. E dimë gjendjen e shtetit por mos i mashtro shqiptarët thuaju vetëm të drejtën dhe të vërtetën.  Ne po përballemi vetëm në këtë mënyrë gati prej një jave, unë së bashku me bashkëshorten po e bejmë me radhë, e pi unë një paracetamol i pari, dhe i bëj shërbimin asaj. Më pas e pi ajo paracetamolin dhe më bën ajo mua shërbim.

Këtë e bëjmë në 4-5 orë, pa po të ishte për interesim nga ju do kishim vdekur, prandaj mos na gënjeni dhe mos na mashtroni. Dua gjithashtu tu them shqiptarëve se nuk ka vend për panik falë sjelljes suaj të duhur në momentin e duhur.  Veçmas kësaj, statistikat në Shqipëri kanë treguar që nuk ka pasur shumë raste dhe ato të cilat kanë qenë janë mundur të kontrollohen nga shtëpitë e tyre apo edhe ndaj ndihmës së pakushtëzuar të mjekëve në mënyra të ndryshme me njohjet e tyre që kanë. Nuk e bëj këtë shkrim për vete por po të them sinqerisht: kthej sytë dhe gjithë vëmendjen e duhur nga shqiptarët, kontrolloni shërbimet mos i merrni të mirëqena ato qe ju thonë. Informoj njerëzit e mi të dashur që ndihem më i lehtësuar nga gjendja fillestare, jam mirë me shëndetin.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gazetari shqiptar në SHBA tregon historinë e Goxhajt në luftën e Kosovës: Dokumenti t’i nënshtrohet ekspertizës

I ftuar në një lidhje live nga SHBA për Now me Thimi Samarxhi, gazetari shqiptar Denion Ndrenika komentoi debatin e krijuar pas publikimit nga kryeministri...
15:19 | 25/06/2026

Rama shpall ‘non grata’ një nga protestueset nga Kosova, Ikballe Huduti

Ikballe Huduti këtë të enjte është shpallur person i padëshiruar në Shqipëri. Urdhri i ka shkuar policisë së shtetit për zbatim që kjo shtetase të...
14:45 | 25/06/2026

Abuzuan me fondet e ndihmës ekonomike, lëshohen masat e sigurisë për 6 funksionarë publikë

Gjashtë funksionarë të shtetit janë vënë nën masa sigurimi me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, pasi dyshohen për përfshirje në një skemë abuzimi me fondet...
14:13 | 25/06/2026