Dhjetëra të vrarë në Gazë dhe Liban nga sulmet izraelite

1 Nëntor 2024 | 18:00

Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja vdekjeprurëse në Gazë dhe Liban më 1 nëntor, duke vrarë 25 persona në qendër të Rripit të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën palestineze. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve izraelite dhjetëra persona janë vrarë në Liban.

Në Gazë, Izraeli tha se ka shënjestruar infrastrukturën e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në zonën ku operon grupi dhe sulme janë raportuar edhe në kampin e refugjatëve në Nuseirat, ndërkaq në Liban Izraeli intensifikoi sulmet ajrore ndaj Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Zyrtarët në spitalin Al-Aksa në Gazë thanë se kanë vazhduar të pranojnë trupa të viktimave pas sulmeve ajrore në kampin e Nuseiratit, që nisën gjatë natës. Nga këto sulme janë vrarë 21 persona, përfshirë një foshnje 18-muajshe dhe motra e tij 10-vjeçare.

Ndërkaq, sulmet në një shtëpi në Deir al-Bala në Gazë, vranë edhe katër persona, duke bërë që numri i viktimave të arrijë në 25.

Që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha të premten se 55 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit dhe 196 të tjerë janë plagosur.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi, por që nga tetori, Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Hezbollahut dhe ka nisur një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Pavarësisht presionit nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera për një armëpushim në Gazë dhe Liban, Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore në Liban të premten, duke vrarë 24 persona vetëm në pjesën verilindore të Libanit.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026