Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, si lindi dhe si festohet sot

23 Prill 2020 | 14:41

Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit është një festë që promovon kënaqësinë e marrë prej të lexuarit, shkruhet në website-n e UNESCO-s. Çdo 23 prill festa që zhvillohet në të gjithë botën bëhet për të sjellë në vëmendje lidhjen mes të kaluarës dhe të ardhmes, urën lidhëse midis brezave dhe kulturës. 23 prilli është një datë simbolike në botën e letërsisë e lidhur me vdekjen e autorëve të shquar William Shakespeare, Miguel de Cervantes dhe Inca Garcilaso de la Vega. Kjo datë ishte një zgjedhje e natyrshme për Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, të mbajtur në Paris në vitin 1995, për të përkujtuar librat dhe autorët,  si dhe duke inkurajuar të gjithë që të lexojnë. Duke mbrojtur librat dhe të drejtat e autorit, UNESCO mbështet kreativitetin, diversitetin dhe qasjen e barabartë në dije e njohuri.

“Më shumë se kurrë, në një kohë kur shumica e shkollave në botë janë të mbyllura dhe njerëzit duhet të kufizojnë kohën e të qëndruarit jashtë, fuqia e librit duhet përdorur për të luftuar izolimin, për të forcuar lidhjet midis njerëzve, për të zgjeruar horizontet si dhe për të stimuluar mendjen dhe krijimtarinë tonë. Gjatë muajit prill, por edhe gjatë gjithë vitit, është shumë e rëndësishme që të merrni kohë për të lexuar për veten apo fëmijët tuaj. Është një kohë për të festuar rëndësinë e leximit, për të nxitur rritjen e fëmijëve si lexues dhe për të promovuar një dashuri të përjetshme për letërsinë dhe integrimin në botën e punës. Përmes leximit dhe festimit të Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit, ne mund të hapemi ndaj të tjerëve përtej distancës dhe mund të udhëtojmë falë imagjinatës. Duke krijuar ndjenjën e të qenurit në një grup dhe bashkësi, duke lexuar dhe marrë njohuri të përbashkëta, lexuesit në të gjithë botën mund të lidhen dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin në frenimin e vetmisë”, thuhet në faqjen e UNESCO-s, duke iu referuar mbylljes dhe situatës që të gjithë po kalojnë për shkak të pandemisë botërore të COVID-19. 

“Librat kanë aftësinë unike për të të argëtuar dhe për të mësuar. Ato janë një mjet që të ndihmojnë të eksplorosh fusha që i kalojnë përvojat e tua personale nëpërmjet ekspozimit ndaj autorëve, universeve dhe kulturave të ndryshme, si dhe një mjet për të depërtuar në thellësitë më të mëdha të brendësisë sonë”, thotë Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe Të Drejtave të Autorit. 

UNESCO ka publikuar edhe shprehjet e disa prej autorëve më të mëdhenj në fushën e letërsisë, të cilat lidhen me librin dhe rëndësinë e të lexuarit në zhvillimin tonë mendor, por dhe në pasurimin e botës sonë të brendshme.

“Leximi i mirë është një prej kënaqësive më të mëdha që mund të të dhurojë vetmia”

Harold Bloom

“Librat i japin shpirt universit, mendjes krahë, imagjinatën e bëjnë të fluturojë, si dhe i japin jetë gjithçkaje”

Platoni

“Librat janë për ata që do të uronin të ishin diku tjetër”

Mark Twain 

“Librat janë si mjekësia. Leximi i mirë mund të kurojë edhe një budalla”

Liu Xiang

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”

Ciceroni

Burimi i informacionit: UNESCO

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Simfonia e 9-të e Beethovenit, kryevepra e muzikës klasike ngjitet në skenën e TKOB

Një nga kryeveprat botërore më ndikim në histori të muzikës klasike, Simfonia e 9-të e Beethovenit, do të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar...
19:18 | 14/07/2026

Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi

Arti dhe kultura fierake kanë humbur një nga figurat e tyre më të dashura. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi,...
10:33 | 14/07/2026