Dronët ‘spiunë’ të Putinit mbi Europë? Studimi: 144 raste kur Moska ka tentuar të mbledh informacione ushtarake dhe civile në 13 vende europiane
Një raport i ri i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me seli në Londër, ngre alarmin se Rusia ka zhvilluar një fushatë sistematike spiunazhi ajror në Evropë, duke përdorur dronë për të mbledhur informacione mbi baza ushtarake, aeroporte, porte dhe infrastrukturë kritike.
Sipas raportit, është “shumë e mundshme” që Moska të ketë operuar dronë mbikëqyrës mbi 13 vende evropiane. Analiza bazohet në të dhënat e organizatës amerikane ACLED (Armed Conflict Location & Event Data) dhe në raportime të mediave ndërkombëtare.
Nga gushti 2024 deri në shkurt 2026 janë regjistruar 144 incidente, ku dronët dyshohet se kanë fluturuar mbi objekte strategjike për të mbledhur informacione ushtarake dhe civile.
Në mesin e objektivave të dyshuara janë baza amerikane Ramstein në Gjermani, bazat ajrore gjermane në Ingolstadt-Manching dhe Neuburg, aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle, si dhe baza e nëndetëseve bërthamore në Île Longue, në Bretanjë.
Raporti tregon se 48% e fluturimeve kanë pasur në shënjestër objekte ushtarake, 18% aeroporte civile dhe 26% porte, fusha ajrore, termocentrale dhe zona industriale.
Gjermania rezulton vendi më i prekur, me 58 raste të raportuara, e ndjekur nga Belgjika me 25, Danimarka me 16, Holanda me 9, Franca me 8, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia kanë regjistruar nga shtatë incidente secila. Në listë përfshihen gjithashtu Republika Çeke, Finlanda, Spanja, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Raporti nuk evidenton raste në Itali.
Sipas IISS, dronët janë lëshuar nga anijet e të ashtuquajturës “flotë në hije” e Rusisë, e cila operon në Detin Baltik, Detin e Veriut, Kanalin Anglez dhe Oqeanin Atlantik. Këto anije përdoren për transportin e naftës ruse, por dyshohet se shërbejnë edhe si platforma lëvizëse për nisjen e dronëve spiunë.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo taktikë ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve aktuale të mbrojtjes ajrore në Evropë. Dronët fluturojnë në lartësi të ulët, mund t’u shmangen radarëve dhe neutralizimi i tyre me raketa të kushtueshme konsiderohet joefikas dhe ekonomikisht i paarsyeshëm.
Përballë këtij kërcënimi, Bashkimi Evropian ka nisur “Nismën Evropiane të Mbrojtjes nga Dronët”, e njohur edhe si “Muri i Dronëve”, e cila synon të jetë funksionale deri në fund të vitit 2026.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për një strategji të përbashkët të NATO-s dhe BE-së për të përballuar kërcënimet në rritje, duke përfshirë investime më të mëdha në teknologjitë kundër dronëve, forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe koordinimin më të mirë të sistemeve të paralajmërimit në Evropë.
Atentati ndaj Donald Trump në 2024! Publikohet raporti që zbulon dështimet operacionale nga Shërbimi Sekret
U rrëmbye nga persona të armatosur në qershor, gjendet e vdekur gazetarja në Meksikë
Zjarr masiv në Costa Brava të Spanjës, izolohen mbi 10 komunitete turistike
- 22:26 Sagnol: Michael Olise është futbollisti më i mirë në botë, meriton “Topin e Artë”
- 22:24 Çollaku komenton Kuvendin Kombëtar të protestës: Është kurth për ta shuar
- 22:23 Zvicra kalon në 1/8 e finales, mposht bindshëm Algjerinë me dy gola në Vancouver
- 22:23 E pabesueshme! Prekja e topit me flokë i mohoi Kroacisë barazimin ndaj Portugalisë
- 22:17 Harry Kane thyen rekorde, por jo tregun: pse një nga futbollistët më të mëdhenj të botës nuk është një supermarkë?
- 22:15 Atentati ndaj Donald Trump në 2024! Publikohet raporti që zbulon dështimet operacionale nga Shërbimi Sekret