Dronët ushtarakë afrojnë edhe më shumë Shqipërinë me Kroacinë

17 Prill 2026 | 07:41

Kroacia ka shprehur zyrtarisht interes për t’u përfshirë në zhvillimin e industrisë shqiptare të dronëve ushtarakë, në një sinjal të ri afrimi strategjik mes Zagrebit dhe Tiranës në sektorin e mbrojtjes.

Deklarata erdhi pas takimit të zhvilluar në Zagreb mes ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anusic, dhe homologut shqiptar, Ermal Nufi, ku bashkëpunimi në industrinë ushtarake dhe teknologjitë moderne të mbrojtjes ishte ndër temat kryesore të diskutimit, sipas njoftimeve zyrtare të të dy palëve.

Në deklaratën e tij pas takimit, Anusic dha sinjalin më të qartë deri tani për interesin kroat ndaj projektit shqiptar të dronëve.

“Shqipëria aktualisht po zhvillon dronët e saj me disa kompani të huaja, por sigurisht që ka vend edhe për kompanitë tona aty, sepse aktualisht ne jemi një nga vendet udhëheqëse brenda NATO-s sa i përket prodhimit dhe shpërndarjes së dronëve FPV”, tha Anusic, duke njoftuar një takim të ardhshëm mes kompanive shqiptare dhe kroate të mbrojtjes.

Deklarata përbën konfirmimin e parë publik se Zagrebi po sheh hapësirë konkrete për përfshirje në projektin shqiptar të zhvillimit të dronëve, duke kaluar përtej bashkëpunimit tradicional politik dhe diplomatik drejt një koordinimi industrial dhe ushtarak.

Zhvillimi erdhi në të njëjtën ditë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia po krijon njësi të posaçme të pajisura me dronë sulmues dhe municione endacake, në një lëvizje që ai e paraqiti si pjesë të transformimit të ushtrisë serbe përballë sfidave të reja të sigurisë në rajon.

Në mënyrë domethënëse, edhe Beogradi po ndjek të njëjtën linjë teknologjike. Sipas raportimeve të Reuters, Serbia synon prodhimin e përbashkët të dronëve luftarakë me Izraelin përmes një partneriteti industrial me kompani izraelite.

Por Shqipëria kishte nisur më herët këtë kurs. Në janar të këtij viti, ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, konfirmoi se Shqipëria kishte nënshkruar një kontratë 30 milionë euro me kompaninë izraelite Elbit Systems për furnizimin dhe prodhimin e dronëve ushtarakë dhe sistemeve antidron, duke bërë publik për herë të parë hyrjen konkrete të vendit në sektorin e prodhimit të teknologjisë së avancuar ushtarake.

Megjithatë, ndryshe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipëria mbetet ende jashtë programit SAFE, mekanizmit prej 150 miliardë eurosh të krijuar nga Brukseli për riarmatimin e kontinentit dhe forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes.

Komisioni Evropian miratoi në janar paketën e parë të financimeve për tetë shtete anëtare, ku Kroacia përfitoi 1.7 miliardë euro në kuadër të këtij instrumenti për investime në mbrojtje.

Kjo e vendos Zagrebin në një pozicion strategjik unik për rajonin: si përfitues direkt i kapitalit evropian për riarmatim dhe si hallkë lidhëse mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe industrisë së mbrojtjes së BE-së.

Edhe pse Shqipëria nuk përfiton direkt nga kreditë e SAFE, autoritetet shqiptare kanë bërë të qartë se synojnë integrimin në zinxhirët evropianë të furnizimit përmes eksportit dhe partneriteteve industriale.

Në këtë kuadër, afrimi me Kroacinë shihet gjithnjë e më shumë si rruga pragmatike përmes së cilës Tirana mund të pozicionohet në arkitekturën e re të mbrojtjes evropiane.

Në një moment kur Ballkani po futet gjithnjë e më thellë në garën e teknologjisë ushtarake, dronët po shndërrohen në simbolin e fazës së re të rivalitetit rajonal – dhe Shqipëria duket se ka zgjedhur të mos mbetet jashtë saj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Disa sulme me sëpatë në Skoci, plagosen 5 persona. Autori vihet në pranga (VIDEO)

Pesë persona u plagosën në një seri sulmesh të dhunshme në Edinburg, ndërsa shërbimi kundër terrorizmit i Skocisë po heton rastin. Një skocez 36-vjeçar është arrestuar...
23:45 | 20/06/2026

Vance niset drejt Zvicrës, zbulon prioritetet kryesore për negociatat me Iranin

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance ka zbuluar prioritetet e tij kryesore në negociatat me Iranin përpara se të nisej për në Zvicër. Sipas ti prioritet...
23:30 | 20/06/2026

Mohammad Bagher Ghalibaf kryeson delegacionin e i Iranit për bisedimet me SHBA në Zvicër

Negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, do të kryesojë delegacionin e vendit për t’u angazhuar në bisedime me SHBA-në në Zvicër, shkruan CNN. Ghalibaf,...
22:37 | 20/06/2026