EMRAT/ Qeveria i jep pensione speciale artistëve të njohur, nga Agim Bajko tek Kosta Kamberi

30 Dhjetor 2025 | 21:21

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh, duke akorduar pensione të posaçme shtetërore për artistë dhe sportistë të njohur, si dhe duke përcaktuar skema kompensimi dhe mbështetje financiare për kategori të ndryshme sociale për vitin 2025.

Sipas vendimit, qeveria ka dhënë shtesë pensioni të posaçëm shtetëror, në masën e dhjetëfishit të pensionit social, për personalitete të njohura të artit dhe sportit, mes të cilëve Agim Nuri Bajko, Agustin Pjetër Kola, Aishe Daut Stari, Edera Kabil Alibegaj, Kostandin Aleko Kamberi, Kostandin Llazar Shkurti, Kujtim Rexhep Vorpsi, Leonard Sifi Toska, Nikolin Luigj Gurakuqi, Rapo Selman Tao, Shegushe Hysni Bebeti, Vasillaq Thoma Ruci dhe Virxhil Athanas Karaja. Vendimi vlerëson kontributin e tyre të veçantë në jetën kulturore dhe sportive të vendit.

Paralelisht, Këshilli i Ministrave ka miratuar skema kompensimi të të ardhurave mujore për pensionistët dhe përfituesit e skemave sociale, në varësi të nivelit të të ardhurave. Kompensimi parashikon:

  • deri në 1 800 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 40 000 lekë;
  • deri në 800 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 22 000 lekë;
  • deri në 1 000 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 18 000 lekë;
  • deri në 600 lekë në muaj për përfituesit e pensionit të invaliditetit me të ardhura deri në 30 000 lekë;
  • deri në 700 lekë në muaj për përfituesit e pensionit familjar me të ardhura deri në 18 000 lekë.

Gjithashtu, është miratuar një mbështetje financiare prej 15 000 lekësh për vitin 2025 për familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror në familje kujdestare, personat me aftësi të kufizuara, përfituesit e statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, personat e verbër, si dhe ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Në të njëjtën mbledhje, qeveria miratoi në parim ndryshime në marrëveshjen me Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë, si dhe marrëveshje bashkëpunimi me Azerbajxhanin në fushën e luftës kundër krimit. Po ashtu, u miratua marrëveshja e bashkëpunimit teknik me Gjermaninë për projektin “Green Vjosa”, që synon zhvillimin rajonal të gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Vendimet përfshijnë edhe krijimin e bazës shtetërore të të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), që do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Në fushën e rindërtimit, Këshilli i Ministrave miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit prej mbi 37 milionë lekësh për banesat individuale në Bashkinë Shijak, si dhe mbi 315 milionë lekë për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj” në Bashkinë Krujë.

Vendimet synojnë forcimin e mbrojtjes sociale, vlerësimin e figurave me kontribut kombëtar dhe vijimin e projekteve strategjike në arsim, mjedis dhe rindërtim.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

LIVE- Dita e 30-të e protestës, qytetarët marshim në rrugët e Tiranës. Njoftojnë protestë nesër para Parlamentit

Edhe këtë të hënë qytetarët kanë dalë në protestë teksa sot shënohet dita e 30-të e saj. Grumbullimi i protestuesve si çdo herë tjetër, ka...
20:06 | 29/06/2026

Sot dita e 30-të e protestës në Tiranë, policia procedon penalisht 31 protestues

Sot shënohet dita e 30-të e protestës që po zhvillohet në Tiranë, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se ka proceduar penalisht 31 shtetas për...
16:21 | 29/06/2026

Rama: Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin

U inaugurua këtë të hënë Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ku i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kreu i...
14:08 | 29/06/2026