Fermerët e Maliqit po reduktojnë mbjelljet për shkak të kostove të larta

27 Maj 2026 | 16:31

Ulen sipërfaqet e mbjella me kulturat bujqësore në fushën e Maliqit, një nga zonat me sipërfaqen më të madhe bujqësore në vend.

Sipas fermerëve, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së tregut dhe çmimeve nën kosto për prodhimet bujqësore.

Margel Agolli nga fshati Orman i Bashkisë Maliq është një nga fermerët potencialë të kësaj fushe. Pasi ka punuar për 25 vite në emigracion, ai vendosi të investojë në kulturat bazë bujqësore, por sot thotë se çmimi i lartë i naftës dhe i imputeve bujqësore ka rritur ndjeshëm koston e prodhimit.

“Kam 10 vite, u ktheva të isha i vetëpunësuar. U ktheva nga Greqia. Fatkeqësitë natyrore janë përherë, ne nuk dëmshpërblehemi. Plus çmimet e kultivimit të shtrenjta, nafta, pesticidet. Kostot janë shumë të larta. E çojmë 30 lek koston tek patatja e shesim 25 lek”, thote ai.

Sipas Agollit, subvencionet janë të pamjaftueshme dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet që kërkon puna në bujqësi.

Fuat Orhan nga fshati Rembec i Bashkisë Maliq është një tjetër fermer me sipërfaqe të mëdha të mbjella kryesisht me grurë.

“Unë kam 35 vite që merrem me grurë, elb, misër. Pse bie? Thelbi është se kostoja e prodhimit është rritur tej mase. Çmimi i karburantit, plehrat kimike, shpenzimet e tjera dytësore, fuqia punëtore. Është paradoks të shesësh grurin me 28 lek kur e prodhon me 30 lek”, shprehet fermeri.

Në të njëjtën linjë me fermerët është edhe specialisti i bujqësisë pranë Bashkisë Maliq, Kejdi Hasani, i cili pranon se këtë vit ka pasur rënie të sipërfaqeve të mbjella me disa prej kulturave kryesore bujqësore.

“Fermerët po ulin sipërfaqet për shkak të imputeve bujqësore, konkurrencës nga vendet e rajonit dhe mungesës së sigurisë në treg. Janë të pasigurt dhe të paorientuar”, thote ai.

Nëse një vit më parë në fushën e Maliqit ishin mbjellë rreth 3800 hektarë me grurë, këtë vit sipërfaqja ka zbritur në 3500 hektarë.

Edhe sipërfaqja e mbjellë me misër ka rënë nga 4000 hektarë në 3800 hektarë, ndërsa patatja nga 700 hektarë ka zbritur në vetëm 500 hektarë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tregu i punës në vështirësi, papunësia në Shqipëri mbetet sfidë

Shqipëria, me një normë papunësie prej 8.4%, renditet ndër vendet me tregun më të vështirë të punës në Europë. Ky nivel e vendos vendin mbi...
17:40 | 24/07/2026

Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar këtë të enjte propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro dhe ka hapur një...
22:33 | 23/07/2026

Qeveria miraton garancinë sovrane, 5 miliardë lekë mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla

Qeveria ka miratuar skemën e re të garancisë sovrane, me një fond prej 5 miliardë lekësh, për të mbështetur fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla...
17:09 | 22/07/2026