Franca paralajmëron SHBA-të: Çdo tentativë për marrjen e Groenlandës rrezikon marrëdhëniet tregtare me BE-në
Franca ka dërguar një paralajmërim të qartë drejt Uashingtonit, se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Groenlandës do të përbënte një “vijë të kuqe” dhe do të rrezikonte seriozisht marrëdhëniet ekonomike mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.
Ministri francez i Financave, Roland Lescure, deklaroi se ia ka përcjellë këtë mesazh drejtpërdrejt sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, gjatë një takimi në Uashington, raporton Financial Times. Sipas tij, shqetësimi në Evropë është i thellë për shkak të deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi “marrjen e pronësisë” së Groenlandës, territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës.
“Groenlanda është pjesë sovrane e një shteti sovran që është anëtar i BE-së. Kjo nuk është diçka me të cilën mund të luhet”, shprehet Lescure për Financial Times.
Pavarësisht tensioneve me administratën Trump për çështje si Groenlanda, tarifat doganore dhe rregullimi i gjigantëve amerikanë të teknologjisë, Franca thekson se dialogu me SHBA-të duhet të vazhdojë. Lescure nënvizoi se Evropa ka interes strategjik të bashkëpunojë me Uashingtonin në fusha kyçe, përfshirë përpjekjet për të ulur varësinë nga Kina në zinxhirët e furnizimit me minerale të rralla, një iniciativë që Franca synon ta shtyjë përpara në kuadër të G7-s.
Megjithatë, ai pranoi se një pushtim i mundshëm i Groenlandës do ta ndryshonte rrënjësisht situatën.
“Nëse do të ndodhte diçka e tillë, do të hynim në një botë krejtësisht të re dhe do të duhej të përshtateshim”, u shpreh ai, duke shmangur spekulimet për sanksione të mundshme ekonomike ndaj SHBA-ve.
BE-ja dhe SHBA-të përbëjnë marrëdhënien më të madhe tregtare dypalëshe në botë.
Sipas të dhënave të BE-së, tregtia e mallrave dhe shërbimeve mes dy palëve kaloi 1.6 trilion euro në vitin 2024, me SHBA-të si tregun më të madh të eksportit për bllokun evropian.
Sipas Lescure, qasja e administratës Trump e ka bërë bashkëpunimin gjithnjë e më të vështirë, duke i përshkruar SHBA-të si aleatë që herë sillen si partnerë strategjik e herë si kundërshtarë të paparashikueshëm. Një tjetër pikë përplasjeje mbetet rregullimi evropian i kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë. Ai konfirmoi se SHBA-të kanë shprehur pakënaqësi për gjobat e vendosura nga BE-ja, përfshirë penalizimin prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X në dhjetor.
“Ligjet evropiane do të zbatohen për çdo kompani që operon në Evropë”, tha Lescure.
Ndërkohë, Franca përballet edhe me sfida të brendshme serioze. Deficitet e larta buxhetore dhe bllokimi politik në parlament po kufizojnë ambiciet e Parisit në politikën e jashtme. Qeveria synon ta ulë deficitin në 5% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa kriza buxhetore ka forcuar pozitat e ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Lescure argumenton se arritja e një marrëveshjeje buxhetore do të ishte thelbësore për të frenuar rritjen e së djathtës ekstreme, duke treguar se partitë tradicionale janë ende të afta të qeverisin.
BE dërgon ndihmë emergjente në Venezuelë pas tërmeteve vdekjeprurëse
Vala e të nxehtit merr jetë njerëzish në Francë, 55 vdekje të regjistruara në Paris brenda një dite
Volkswagen planifikon të shkurtojë deri në 100,000 vende pune dhe ndoshta të mbyllë fabrikat
- 23:14 Çipa: Një qeverisje e mençur i merr disa nga diaspora dhe u jep vende në administratë!
- 22:22 “Fryma e protestës është kundër kapitalizmit”, Rexhaj: Këto nuk janë kërkesa!
- 21:59 Hitaj: Nëse protesta vazhdon edhe dy javë, PS dhe PD do luftojnë për vendin e dytë në Tiranë
- 21:49 “Kërkoj ndjesë publike, votova ndryshimet kushtetuese të vitit 2008”, flet ish-deputetja
- 21:30 Të shtëna me armë zjarri ndaj një servisi celularësh në Babrru, kapet i dyshuari 18-vjeçar
- 21:23 Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 27-të të protestës