Gjykata Evropiane ndëshkon Poloninë dhe Hungarinë

Komisioni Evropian
16 Shkurt 2022 | 18:52

Gjykata Evropiane e Drejtësisë i hapi rrugë të mërkurën BE-së që të shkurtojë miliarda euro fonde për Poloninë dhe Hungarinë, ku udhëheqësit populistë akuzohen se po shkelin të drejtat dhe liritë demokratike.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që hodhi poshtë paditë e Varshavës dhe Budapestit kundër sanksioneve të BE-së, nuk mund të apelohet.

Në lojë, pas këtij vendimi, janë miliarda euro fonde, kohezioni i brendshëm i BE-së dhe qëndrimi i Unionit për çështjet ndërkombëtare.

Komisioni Evropian, përmes zëdhënëses Dana Spinant, ka deklaruar se mirëpret vendimin e gjykatës. Ndërsa për kryeministrin polak, vendimi tregon rrezikshmërinë që rrjedh nga pushteti i institucioneve evropiane.

“Centralizimi i strukturave të BE-së është një proces i rrezikshëm. Në dialogun tonë me BE-në, që nuk është një dialog i barabartë, ne këtë po përpiqemi të vëmë në dukje. Kështu e interpretoj unë vendimin”, tha Mateusz Morawiecki, kryeministër i Polonisë.

Ndërsa ministria hungareze e Drejtësisë tha se vendimi është politik dhe i nxitur nga ligji hungarez për mbrojtjen e fëmijëve, duke iu referuar legjislacionit të partisë në pushtet që kufizon mësimet për homoseksualizmin dhe çështjet transgjinore në shkolla.

“Gjykata Evropiane e Drejtësisë mori një vendim politik për shkak të referendumit tonë të ardhshëm mbi mbrojtjen e fëmijëve. Por kjo nuk ishte një surprizë për ne, pasi më herët kryetari i gjykatës e kishte lënë të kuptohej se çfarë duhet të prisnim”, tha Judit Varga, ministre e Drejtësisë, Hungari.

36 miliardë euro nga fonde për rikuperimin nga pandemia të planifikuara për Poloninë dhe 7 miliardë euro për Hungarinë janë ngrirë tashmë nga Komisioni Evropian.

Dy vendet, që u bënë anëtare të bllokut në vitin 2004, kanë kërcënuar me bllokimin e vendimeve të BE-së, të cilat kërkojnë unanimitet e që përfshijnë ato për politikën e jashtme, klimën dhe energjinë.

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lituania shfuqizon dispozitën kushtetuese që ndalon armët bërthamore

Presidenti lituanez Gitanas Nauseda tha sot se partitë në parlamentin e vendit kanë rënë dakord të shfuqizojnë një dispozitë kushtetuese që ndalon armët bërthamore në...
14:26 | 02/07/2026

Kallas: Bosnja të përshpejtojë reformat për në BE, mundësia mund të mos jetë e hapur gjithmonë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje të enjten udhëheqësve të Bosnjë dhe Hercegovinës të përshpejtojnë reformat e nevojshme...
14:22 | 02/07/2026

Një tërmet i fortë godet Greqinë, sa ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë 5.2 ballë të shkallës Rihter ndodhi sot pak pas orës 14:00 sipas orës lokale pranë ishullit të Karpathos. Sipas të dhënave...
13:48 | 02/07/2026