Grupet e ndihmës paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve në Libi

16 Shtator 2023 | 10:21

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje të përhapjes së sëmundjeve, që mund të ndërlikojë edhe më shumë krizën humanitare në Libi. Në këtë shtet janë pakësuar shpresat të shtunën për gjetjen e më shumë të mbijetuarve pas vërshimeve vdekjeprurëse.

Vërshimet e javës së kaluar goditën qytetin-port të Dernas pasi dy diga shpërthyen si pasojë e presionit të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe nga një stuhi e fuqishme.

Autoritetet kanë dhënë shifra të ndryshme sa i përket viktimave, përderisa zyrtarët në lindje të këtij shteti të ndarë kanë thënë se të paktën 3.840 persona kanë vdekur.

Organizatat e ndihmës sikurse Ndihma Islame dhe Mjekët pa Kufi kanë paralajmëruar se tani ekziston rreziku i përhapjes së sëmundjeve, por edhe i vështirësive që ndihma humanitare të arrijë te ata që kanë më së shumti nevojë.

Ndihma Islame paralajmëroi për “një krizë të dytë humanitare” pas vërshimeve, duke theksuar se “ka rrezik në rritje të shfaqjes së sëmundjeve nga uji i kontaminuar, por edhe për mungesë të ushqimit, strehimit dhe ilaçeve”.

“Mijëra njerëz nuk kanë ku të flenë dhe nuk kanë ushqim”, tha Salah Aboulgasem nga kjo organizatë. “Në kushte të tilla, sëmundjet mund të përhapen shpejt pasi sistemi i ujit është i kontaminuar. Qytetit i vjen era vdekje. Pothuajse të gjithë kanë humbur dikë që e njohin”, shtoi ai.

Ndërkaq, Mjekët pa Kufi njoftuan se do të dërgojnë ekipe në lindje të Libisë për të vlerësuar se si është situata me ujin dhe situata sanitare.

“Me këso lloj ngjarjes, ne vërtetë shqetësohemi me sëmundjet që lidhen me ujin”, tha Manoelle Carton, koordinator mjekësor i organizatës në Derna, që i përshkroi përpjekjet për koordinim të ndihmës si “kaotike”.

Por, Kryqi i Kuq dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se trupat e pajetë të fatkeqësive natyrore rrallë paraqesin rrezik shëndetësor.

Një zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare të Libisë ka thënë se nga vërshimet janë prekur “mbi 1.2 milion persona”.

Kombet e Bashkuara kanë lëshuar apelin për dërgimin e më shumë se 71 milionë dollarëve në Libi pasi qindra mijëra persona kanë nevojë për ndihmë.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë se mbi 38.640 persona kanë mbetur të pastrehë në lindje të Libisë dhe 30.000 vetëm në Derna.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Grupi teknik për Iranin mblidhet sërish javën e ardhshme në Zvicër

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën se grupi teknik për Iranin do të ritakohet javën e ardhshme, duke parashikuar që takimi të...
18:58 | 24/06/2026

Bill Gates: Epstein kishte ndërmend të më shantazhonte për lidhjet e mia jashtëmartesore

Miliarderi Bill Gates pretendoi para një komisioni të Kongresit Amerikan se dënimi i abuzuesit seksual Jeffrey Epstein kishte për qëllim ta shantazhonte duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij jashtëmartesore, sipas tekstit të...
18:56 | 24/06/2026

Irani eksporton 40 milionë fuçi naftë brenda qershorit

Irani ka eksportuar 40 milionë fuçi naftë të papërpunuar që nga 15 qershori, me gjysmën e këtij vëllimi të transportuar brenda një dite të vetme,...
18:55 | 24/06/2026