Historia e piktorit pa diplomë, talenti për artin pamor i Nazmi Hetës nga Kosova

29 Dhjetor 2020 | 11:49

Çdo ditë, për 17 vjet, Nazmi Heta nga Drenasi, bën të njëjtën rrugë, deri në punën e tij të përditshme, që është një kompani gurthyesish.

 “Punën e fillojmë në orën 7:00 deri në orën 16:00. Natyra e punës është pak më ndryshe sesa në kompanitë e tjera. Ky është një gurthyes, kurse arti është një e veçantë ndërkohë që puna është veprimtari e përditshme. Sa për ta mbajtur familjen është mirë. Paga është e kënaqshme, janë të mira, kështu që nuk do ta mendoja ndërrimin me ndonjë punë tjetër,” – tha Nazmi Heta.

Kur mbaron punën në gurthyes, Nazmiu niset drejt shtëpisë por nuk shkon atje. Ai hyn vendin e preferuar, që është atelieja ku shpreh botën e tij të brendshme, të cilën e hedh në piktura që shfaqen plotë jetë. Pikturimi i peizazheve është çlodhja e vërtetë për të. Gjatë intervistës për Euronews Albania Nazmiu vendosi të pikturojë me një stil të veçantë, duke përdorur disa spango të shkurtra të cilat i lyen në ngjyra të ndryshme. Për pikturën e menduar, ia ndryshon ngjyrën edhe pëlhurës.

“Tani pllakën po e bëj me ngjyrë të zezë në mënyrë që ngjyrën tjetër po e bëj më shumë me të kuqe, pasi mendoj të nxjerr në pah ato lulet. Sepse ne na pëlqen kontrasti kuq e zi dhe të gjithë shqiptarët e dinë se çfarë simbolizojnë ato dy ngjyra,” – sqaroi piktori teksa nisi pikturën e tij.  

Ai tregoi se më së shumti ishte i pasionuar pas peizazhit.

“Pikturën unë e kam dashur gjithmonë por ideja që të merrem më pikturë më ka lindur bukur vonë sepse nuk e kisha idenë, edhe pse nga arti s’kam mbaruar asnjë shkollë, asnjë përgatitje, përveç atëherë kur kemi pasur lëndë artin figurativ në shkollë të mesme e nuk jam marrë më me art. Atëherë kam pasur si lëndë të rregullt. Më pëlqen të jem autodidakt, pra nga arti nuk kam të mbaruar asgjë. Më tepër e adhuroj të jem autodidakt, pa përgatitje shkollore. Nuk më duhet ndonjë përgatitje tjetër nga fusha e artit përveçse ta vazhdoj në këtë formë sepse kam mbërritur ta bëj një përvojë, tani prej katër vitesh dhe vazhdoj dhe më tej të merrem me artin,” – tregoi z. Heta.

Piktori tregoi se mbështetja e njerëzve të afërt dhe miqve në rrjete sociale e ka motivuar që të vazhdojë punën dhe t’i përkushtohet pasionit të tij.

“Jetohet në njëfarë mënyre edhe pse krahas pagës dhe të ardhurave mujore, kjo më ndihmon që të bëj sadopak një jetë më solide e të përshtatshme për mua e familjen time. Kam një shitje, mirëpo më shumë e frenoj shitjen. Më tepër kem dëshirë që ta kem fondin e pikturave me sa më shumë punime në mënyrë që për ekspozitat eventuale, të kem piktura të mjaftueshme që duhen pasur për një ekspozitë, qoftë në Drenas, Prishtinë, apo vende të tjera,” – tregoi piktori.

“Kemi çmime të ndryshme por duke llogaritur standardin tek ne atëherë mundohem ta gjej një çmim të përshtatshëm. Nuk janë çmime të shtrenjta, duke llogaritur që t’iu mundësohen dhe ndonjë qytetari të ketë ndonjë pikturë,” – shtoi ai.

Nazmi Heta tha se tanimë arti është bërë pjesë e jetës së tij teksa pohoi gjithashtu se nuk mund të jetojë pa të.

“Tanimë arti ka hyrë në pjesën time të jetës, do të thotë se pa art nuk mund ta kaloj jetën sepse më jep energji për jetë, vullnet e disponim,” – tha piktori.  

Së fundmi Heta dha edhe një këshillë për piktorët profesionistë të cilët mund të jenë pedagog e të japin mësim ndërkohë që nuk kanë asnjë punim.

Ndërkaq nuk mungoi apeli për të mos e humbur vullnetin duke qenë se përkrahja për artistët mungon si nga niveli komunal dhe ai qendror.

Kështu, në atelienë e Nazmiut, pikturat kanë zbukuruar muret e bashkë me të edhe botën e një artisti të heshtur.

Pas disa orësh çlodhje me pikturën, ai shkon në shtëpi, për t’ia lënë radhën ditës tjetër, me punën që fillon në gurthyes.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare

Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që...
10:12 | 02/06/2026

“Qiell i hapur, mendje të hapura, rikthehet DEA Open Air, 40 filma nga 25 vende në garë

Nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura” rikthehet në Tiranë edicioni I 13-të I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Pjesë e këtij...
17:52 | 01/06/2026

Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” ngjitet në skenën e teatrit në Gjirokastër

Premiera e komedisë “Sonte do darkojmë në shtrat” është shfaqur në teatrin e Gjirokastrës, duke tërhequr interesimin e publikut dhe artdashësve të qytetit. Vepra e...
20:22 | 31/05/2026