Hitaj: Mbi 10 mijë llogari të dyshimta po verifikohen për komente negative ndaj bizneseve turistike

9 Korrik 2026 | 13:58

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e Policisë po hetojnë një aktivitet të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike, që sipas tij synon të dëmtojë reputacionin online të bizneseve turistike në Shqipëri.

Në një konferencë për mediat, Hita bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit janë evidentuar publikime masive të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera të turizmit në platforma ndërkombëtare.

Sipas kreut të Policisë, nga verifikimet paraprake rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar. Ai tha se deri në këtë fazë janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara.

Hita theksoi se një pjesë e këtyre profileve dyshohet se janë krijuar rishtazi për këtë qëllim, ndërsa të tjera janë llogari reale, për të cilat kanë nisur veprimet hetimore. Sipas tij, janë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar komente negative për biznese në qytete të ndryshme të vendit brenda një intervali shumë të shkurtër kohor.

“Këto elemente po analizohen për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar që synon krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin e reputacionit të bizneseve shqiptare,” deklaroi Hita.

Ai paralajmëroi se, nëse dyshimet konfirmohen, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale që lidhen me krimet kompjuterike dhe dëmtimin e interesave ekonomike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u bëri thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.

Në përfundim, Hita deklaroi se Policia e Shtetit vijon zbatimin e planit të masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik, duke theksuar se strukturat policore janë të angazhuara në të gjithë territorin për rendin publik, sigurinë rrugore dhe asistencën ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasje me armë zjarri në Shkodër, raportohet një i vrarë

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në lagjen Dracin në Shkodër. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se një person ka mbetur i vrarë. Po ashtu,...
13:36 | 09/07/2026

“Mos u ndalni kurrë së zhvilluari, mos u ndalni kurrë së thelluari” Mesazhi i Kryepiskopit Joani për studentët

“Diploma që mbani sot në duar nuk është thjesht një letër, por një dëshmi me përmbajtje të thellë shoqërore”. Ky ishte mesazhi i Kryepiskopit të...
13:00 | 09/07/2026

Flet nëna e 17-vjeçares që u dhunua nga tre vajzat në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila dyshohet se u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen...
12:47 | 09/07/2026