I akuzuar për korrupsion në zgjedhje, vijon gjyqi i kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, flasin dëshmimtarët
Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kreut të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë të premte Prokuroria e Posaçme vijoi me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.
Në gjykatë dëshmitari Martin Toma iu përgjigj pyetjeve të prokurorit.
Martin Toma: Punoj në OSHEE Vau i Dejës, me detyrë elektricist. Në lidhje me një remont jam në dijeni pjesërisht. Në Stajkë ka qenë një lagje me një rrjet tjetër të amortizuar. Na kanë thirrur drejtuesit e OSHEE dhe na kanë thënë se do të punoni në këtë vend. Shefi i teknikës, Jetmir Deda, na tha se do të shkonim në atë ditë për të bërë remontin. Sapo kemi shkuar në lagjen e Stajkës kemi bërë demontimin dhe më pas kemi vendosur shtylla. Kemi bërë hapjen e gropave për shtyllat, vendosjen e kabujve etj. Të gjitha materialet kanë ardhur nga makinat e OSHEE dhe ka pasur faturë me letra për gjithçka. Ka qenë një fadromë që ka hapur gropat, por nuk e di nëse ka qenë private apo shtetërore.
Dëshmitari tjetër, Leorenc Pjetra: Punoj specialist urbanistike në Vau i Dejës. Po, kam dijeni për një linjë elektrike në fshatin Stajkë dhe e kam marrë vesh nga një portal. Nuk e di çfarë investimi është kryer, por di vetëm për një linjë elektrike. Di që është bërë në muajin shkurt-mars të vitit 2025. Në atë kohë kam qenë drejtor i Shërbimeve Publike. Në atë periudhë nuk e kujtoj të kem marrë telefonatë nga Kristian Shkreli. Kemi pasur telefonata të shpeshta për kanale vaditëse apo kulluese. Për rastin në fjalë më është kërkuar ndihmë nga drejtuesi i OSHEE për një fadromë, por nuk e kujtoj që Kristian Shkreli të më ketë marrë në telefon. Drejtori më tha se i duhej fadroma për të shkulur ose hequr shtylla. Fadromën do ta përdorte një shtetas me emrin Kastriot.
Dëshmitarja tjetër është Franga Kolaj: Unë jetoj në Laç, Vau i Dejës.
Prokurori lexon një bisedë të përgjuar mes Franga Kolajt dhe Kristian Shkrelit në lidhje me mënyrën se si duhet të votonin fëmijët e saj, të cilët janë në diasporë. Kristiani i thotë që të votojnë 11, por të mos votojnë kandidatët.
Franga Kolaj: Para shumë kohësh kam pasur burrin të sëmurë. Kur u dëmtua burri më ka ndihmuar Tom Doshi. Unë jam e majtë me familjen, jam kryetare e gruas për PS në Vau i Dejës. Kur erdhi Kristian Shkreli kryetar na ndihmoi. Fëmijët më thanë se duam të votojmë Tom Doshin, se e kemi detyrim moral. Mora Kristianin në telefon dhe i thashë se më thanë fëmijët kë të votojmë nga kandidatët dhe Kristiani më tha 11. Unë banoj në Laç, Vau i Dejës dhe nuk i kam kërkuar ndihmë asnjëherë për drita apo shërbime të tjera. Kristian Shkreli nuk më ka thënë asnjëherë të votoj Tom Doshin në kuadër të shpërblimeve.
Në seancën e radhës për gjyqin ndaj Kristian Shkrelit do të dëshmojnë katër dëshmitarë të tjerë. Nga trupa e gjykatës u caktua data 2 prill, ora 14:00.
Masat e sigurisë për sezonin turistik, ministri Lamallari dhe Hita inspektime në Shëngjin
Agravon konflikti mes dy familjeve në Pukë, plagosen 2 persona. Detajet e para
Dita e 59-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
- 21:23 Shehaj i përgjigjet Ramës: Nuk mund të flasë për hajdut ai që ka të akuzuar bashkëpunëtorët nga drejtësia
- 21:11 Masat e sigurisë për sezonin turistik, ministri Lamallari dhe Hita inspektime në Shëngjin
- 21:06 “Mora atë që më takonte”, Shehaj flet për incidentin në Kuvend: Jam mësuar të luftoj kur të drejtat mohohen
- 20:52 Agravon konflikti mes dy familjeve në Pukë, plagosen 2 persona. Detajet e para
- 20:45 BE nis betejën me lajmet e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale
- 20:41 “Më pëlqen të bëj diçka të papritur”, pse aktorja Emma Roberts zgjodhi të veshë fustan të zi gjatë dasmës së saj?