Nate Vance, kushëriri i zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance, ka kritikuar ashpër administratën e Presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me trajtimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Vance, një ish-marins amerikan që ka luftuar në vijën e parë të frontit kundër forcave ruse në Ukrainë, ka shprehur shqetësimin e tij për ftohtësinë e treguar ndaj Zelenskyt gjatë një takimi në Zyrën Ovale në fund të shkurtit.
Në një intervistë të gjatë për gazetën “Le Figaro”, Nate Vance, i cili ka kaluar tre vjet në Ukrainë si pjesë e batalionit “Da Vinci Ëolves”, ka denoncuar me forcë qasjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj liderit ukrainas, duke e quajtur “të papranueshme” trajtimin që ai mori nga administrata amerikane. Vance, i cili ka marrë pjesë në beteja të njohura si ato të Kupyansk, Bakhmut dhe Avdiivka, shprehet se ai nuk mund të mbështesë qëndrimin e kushëririt të tij, JD Vance, ndaj Ukrainës dhe presidentit Zelensky.
Në intervistën e tij, Vance thekson se ishte i befasuar nga retorika e JD Vance dhe Donald Trump në lidhje me Ukrainën. Ai shpjegon se fillimisht kishte menduar se kritikat ndaj ndihmës për Ukrainën ishin thjesht një lojë politike, por, sipas tij, qëndrimi ndaj Zelensky ishte një “pritë dashakeqe e planifikuar”.
Nate Vance tregon se, si një ish-marins që ka luftuar në Ukrainë për mbi tre vjet, ai ka pasur një njohuri të thellë për situatën dhe ka parë nga afër ndikimin e luftës ndaj popullit ukrainas. Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për përpjekjet e JD Vance për të justifikuar qëndrimet e tij përmes raporteve televizive, duke theksuar se ai mund t’i kishte thënë të vërtetën, për shkak të përvojës së tij direkte në fushën e betejës.
Vance ka shpjeguar gjithashtu përpjekjet e tij për të kontaktuar me kushëririn e tij përmes zyrës së tij, por pa sukses.
Në një përfundim të ashpër, Nate Vance tha se kushëriri i tij, zëvendëspresidenti i SHBA, dhe presidenti Trump janë idiotët e dobishëm të Putinit.
“Janë idiotët e dobishëm të Vladimir Putinit”, tha ai.