Irani paralajmëron përgjigje “të vendosur” nëse e sulmon Izraeli
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e ka paralajmëruar shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që Teherani është gati për përgjigje “të vendosur”, nëse Izraeli sulmon shtetin e tij, si hakmarrje për sulmin me raketa.
Republika Islamike ka lëshuar 200 raketa drejt Izraelit më 1 tetor, si hakmarrje për vrasjet e dy aleatëve të tij të ngushtë, liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe një gjeneral iranian.
Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant është zotuar javën e kaluar që masat hakmarrëse të vendit të tij do të jenë “vdekjeprurëse, precize dhe befasuese”.
“Irani, duke bërë përpjekje për të mbrojtur paqen dhe sigurinë në rajon, është plotësisht i përgatitur për një përgjigje të vendosur”, ndaj Izraelit, ka thënë ministri Araghchi, përgjatë një bisede telefonike me Guterresin.
Përgjatë thirrjes telefonike, Araghchi u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara për t’i përdorur të gjitha resurset “për t’iu dhënë fund krimeve dhe agresionit të regjimit izraelit dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Liban dhe Gazë”.
Diplomati i lartë iranian ka biseduar përmes telefonit edhe me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot.
Përgjatë thirrjes, Araghchi e ka përmendur nevojën e ndaljes së sulmeve izraelite në Liban, ka paralajmëruar kundër “aventurave të reja” të armikut të përbetuar, dhe ka bërë thirrje për largim të “pengesave” izraelite për të dërguar ndihma te personat e zhvendosur.
Në javët e fundit, Araghchi e ka vizituar Libanin, Sirinë, Arabinë Saudite, Katarin, Irakun dhe Omanin në përpjekje për t’i ulur tensionet.
LEXONI GJITHASHTU:
Teherani sulmon sërisht vendet e Lindjes së Mesme, teksa Trump kërcënon të godasë termocentralet dhe urat iraniane
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 07:30 Spanja mposht Francën 2-0 dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Botës 2026
- 07:27 Teherani sulmon sërisht vendet e Lindjes së Mesme, teksa Trump kërcënon të godasë termocentralet dhe urat iraniane
- 07:19 Aksident i rëndë në aksin Vranisht-Vlorë, makina përplas për vdekje 80-vjeçaren
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar