Irani zotohet për përgjigje “proporcionale” pas sanksioneve nga SHBA
Irani është zotuar se do të përgjigjet në mënyrë “simetrike dhe proporcionale” pasi Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i anuluan marrëveshjet për shërbime ajrore me Teheranin dhe u zotuan se do ta sanksionojnë kompaninë e saj ajrore, Iran Air.
Treshja evropiane, e njohur si E3, tha në një komunikatë më 10 shtator se ka ndërmarrë masa pasi konfirmoi se Irani kishte transferuar raketa balistike në Rusi.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 10 individëve dhe gjashtë subjekteve me bazë në Iran dhe në Rusi, përfshirë ndaj Iran Air, për furnizimin e dyshuar me raketa balistike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, tha më 10 shtator se këto akuza janë “plotësisht të rrejshme dhe të pabaza”.
“Veprimet e këtyre tri vendeve evropiane janë vazhdimësi e politikës armiqësore të Perëndimit dhe imponimit të terrorizmit ekonomik kundër popullit të Iranit”, tha ai në një deklaratë në Telegram.
“Ato do të përballen me një përgjigje simetrike dhe proporcionale”, shtoi ai.
Në komunikatën e përbashkët, E3 tha se furnizimi i dyshuar me raketa balistike “është përshkallëzim i mëtejshëm i mbështetjes ushtarake të Iranit për luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe nënkupton se raketat iraniane do të arrijnë tokën evropiane, duke rritur vuajtjet e popullit ukrainas”.
Irani është goditur me sanksione disa herë prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, për shkak se Moska përdor dronë iranianë, Shahed dhe Mohajer, në këtë luftë.
Irani vazhdon ta mohojë se dronët e tij po përdoren në luftë dhe këmbëngul se nuk mban anë në këtë konflikt.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, e akuzuan më 10 shtator Iranin edhe zyrtarisht se e ka furnizuar Moskën me raketa.
“Rusia ka pranuar dërgesa të këtyre raketave balistike [iraniane] dhe me gjasë do t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë kundër ukrainasve”, tha Blinken.
Kremlini nuk i ka komentuar ende deklaratat e Blinkenit.
Por, një ditë më parë, ai nuk i hodhi poshtë drejtpërdrejt akuzat se po furnizohet me raketa nga Irani, duke e nënvizuar bashkëpunimin me Teheranin dhe duke thënë se po zhvillon dialog me të në të gjitha fushat.
Teherani e ka mohuar se e furnizon Moskën me raketa.
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë