Ish-ligjvënësi amerikan George Santos pritet të pranojë fajësinë për disa akuza
Ish-ligjvënësi amerikan, George Santos, pritet të pranojë fajësinë lidhur me disa akuza në çështjen federale të ngritur ndaj tij për mashtrim dhe pastrim parash, sipas një individi që ka dijeni për çështjen.
Ish ligjvënësi republikan nga Nju Jorku pritet të pranojë fajësinë gjatë një seance gjyqësore të hënën në Long Island, tha një burim për agjencinë e lajmeve Associated Press. Burimi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për çështjen. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka patur reagime nga tre avokatët e zotit Santos lidhur me kërkesën e agjencisë e lajmeve Associated Press për të komentuar.
Seanca gjyqësore u caktua për të hënën pasdite pas kërkesës së përbashkët të premten nga prokurorët dhe avokatët e zotit Santos. Ata gjithashtu kërkuan dhe morën miratimin e gjykatës për shtyrjen e disa procedurave.
Njoftimi vjen vetëm pak javë përpara fillimit të përzgjedhjet së jurisë më 9 shtator lidhur me gjyqin ndaj zotit Santos.
Ish ligjvënësi republikan ka deklaruar më herët se është i pafajshëm për një sërë akuzash për krime financiare. Ai akuzohet gjithashtu se ka bërë deklarata të rreme në Dhomën e Përfaqësuesve për pasuritë, të ardhurat dhe borxhet e tij. Zoti Santos akuzohet për vjelje të përfitimeve të papunësisë ndërsa në të vërtetë ishte i punësuar dhe për përdorim të fondeve të fushatës për të paguar për shpenzimet personale, si rroba të markave të njohura.
Republikani nga Nju Jorku u përjashtua nga Kongresi në dhjetor pasi një hetim për etikën zbuloi “prova dërrmuese” se ai kishte shkelur ligjin dhe kishte shfrytëzuar postin e tij publik për përfitime personale.
Në muajin korrik, Senatori Bob Menendez dha dorëheqjen pas shpalljes fajtor për korrupsion, çka nxiti thirrjet në mesin e demokratëve që ai të jepte dorëheqjen.
Ligjvënësi demokrat u shpall fajtor nën akuzat se ka marrë qindra mijëra dollarë ryshfet në këmbim të abuzimit me postin e tij për të pasuruar dhe mbrojtur dy biznesmenë. Ai gjithashtu u shpall fajtor se kishte punuar si agjent i paregjistruar i qeverisë së Egjiptit. Zoti Menendez, 70 vjeç u shpall fajtor nga një gjykatë në Nju Jork për të 16 akuzat penale me të cilat përballej. Ekipi ligjor i Senatorit Menendez ka njoftuar se do ta apelojë vendimin.
Masa e dënimit është caktuar të jepet në 29 tetor, një javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
LEXONI GJITHASHTU:
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan