Izraeli: Qëllimet tona të luftës tani përfshijnë ndalimin e sulmeve të Hezbollahut

17 Shtator 2024 | 21:31

Izraeli njoftoi të martën zgjerimin e objektivave të luftës duke përfshirë krijimin e kushteve për kthimin e banorëve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre. Izraelitët u evakuuan nga kjo zonë për shkak të përleshjeve midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut përgjatë kufirit Izrael-Liban.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kabineti i sigurisë e mori këtë vendim të hënën në mbrëmje.

Hezbollahu, aleat i Hamasit, filloi sulme pothuajse të përditshme menjëherë pas fillimit të luftës në Gazë. Kjo luftë detyroi dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Hezbollahu, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, ka thënë se do t’i ndalojë sulmet nëse ka një marrëveshje armëpushimi për Gazën.

Përpjekjet për të arritur këtë armëpushim kanë zgjatur me muaj, me përfshirjen e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit që përpiqen të gjejnë kushte të pranueshme si për Izraelin ashtu edhe për Hamasin.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken udhëtoi në Egjipt të martën mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar partnerët kryesorë në Lindjen e Mesme për të paraqitur një propozim të rishikuar për armëpushim.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën, “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, për atë që do të përmbajë propozimi dhe po bëjmë përpjekje të arrijmë tek një propozim që mund t’i afrojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare”.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët kanë treguar se ai do të paraqitet së shpejti. Propozimi synon të zgjidhë çështjet kryesore pas ngërçit të krijuar së fundmi, duke synuar të sigurojë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të mbetura të marra nga militantët e Hamasit në fillimin e luftës më 7 tetor 2023.

Sekretari Blinken pritet të takohet me zyrtarë rajonal, megjithatë, udhëtimi i tij nuk përfshin një ndalesë në Izrael për bisedime me udhëheqësit e tij.

Sekretari Blinken u takua të hënën në Uashington me Yair Lapidin, udhëheqësin e opozitës dhe ish-kryeministër i Izraelit.

Pas takimit, Lapid u tha gazetarëve se Izraeli ka nevojë për një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe për përfundimin e luftës në Gazë, duke theksuar se asnjë proces politik apo trazirë nuk duhet të ndikojë në marrëveshje. Lapid i kërkoi Uashingtonit të mos e lejojë Hamasin “të anashkalojë një marrëveshje pengjesh”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Të rinjtë gjermanë refuzojnë shërbimin ushtarak, teksa Berlini përpiqet të forcojë ushtrinë

Gati 6 mijë të rinj kanë kërkuar të përjashtohen nga shërbimi ushtarak për arsye morale ose fetare, pavarësisht politikës së re të rekrutimit të pjesshëm....
07:46 | 15/07/2026

Kina arreston shkencëtarin amerikan që studioi testet bërthamore të Koresë së Veriut, akuzohet për spiunazh

Kina ka ndaluar një sizmolog amerikan, i cili monitoron testet bërthamore për gati dy vjet, nën akuzat për spiunazh, thotë familja e tij. Chen Youlin,...
07:40 | 15/07/2026

Teherani sulmon sërisht vendet e Lindjes së Mesme, teksa Trump kërcënon të godasë termocentralet dhe urat iraniane

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit herët të mërkurën pretendoi se kishte sulmuar instalimet e komandës dhe kontrollit, logjistikës, naftës dhe pajisjeve ushtarake të Flotës...
07:27 | 15/07/2026