Karateistët kosovarë përjashtohen nga Evropiani në Qipro për shkak të simboleve shtetërore

10 Shkurt 2026 | 13:09

Ekipi i karatesë së Kosovës nuk mori pjesë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21, të mbajtur në Limasol të Qipros, për shkak të një akti diskriminues nga shteti organizator, i cili nuk lejonte paraqitjen me simbole shtetërore.

Sipas sekretari të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Nazmi Gashi, autoritetet qipriote, duke mos e njohur shtetin e Kosovës, nuk pranuan që sportistët kosovarë të garonin në kushte të barabarta me shtetet e tjera, me flamur, himn dhe simbole kombëtare. Alternativa e ofruar ishte që ekipi të merrte pjesë nën flamurin e Federatës së Karatesë, një propozim që u cilësua si i papranueshëm.

“Vikendin e kaluar është mbajtur kampionati evropian për kadetë, juniorë dhe U21 në Qipro, në Limasol. Aty Kosova s’ka marrë pjesë për shkak se në komunikimin zyrtar që kemi pasur me Federatën e Qipros dhe Federatën Evropiane, Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk ka pranuar që ne të jemi të barabartë si të gjitha shtetet e tjera, që atje të paraqitemi me himn, me simbole, me flamur. Por ka thënë që ju mund të vini këtu dhe të merrni pjesë nën flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës, që për ne ka qenë e papranueshme.”, tregon fillimisht Gashi.

Vendimi për të mos udhëtuar fare drejt Qipros u mor nga bordi ekzekutiv i FKK-së, duke u bazuar në parimin e mospranimit të diskriminimit dhe duke respektuar një vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili përcakton se paraqitja në gara zyrtare ndërkombëtare duhet të bëhet me të gjitha simbolet shtetërore.

“Ne ndihem të diskriminuar dhe pa simbole nuk do të marrim pjesë jo vetëm në Qipro, por në asnjë vend ku nuk lejohen si sportistë të barabartë për të marrë pjesë në kushte të barabarta me të gjithë. Prandaj dhe nuk kemi udhëtuar fare për atje. Kemi njoftuar bordin dhe kuvendin e federatës. Ne kemi filluar komunikimin ose kemi dërguar letrën e parë qysh me datën 8 tetor të vitit 2025, për shkak se e kemi ditur që në vitin 2023 e kemi pasur problemin e njëjtë në Qipro dhe e kemi ditur që mund të kemi përsëri probleme. Dhe nuk na është kthyer fare përgjigje deri me datën 20 janar. Me datën 20 janar nga Federata e Qipros kemi pranuar një letër, një email ku shkruan që Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe mund të merrni pjesë vetëm nën flamurin e federatës”, vijoi më tutje Gashi.

Mungesa në këtë ngjarje të rëndësishme sportive konsiderohet një humbje e madhe, veçanërisht për sportistët me potencial për të fituar medalje.

“Ne patjetër që do të shtrojmë ankesë dhe në kuvendet e radhës do të ngrisim zërin që këto kampionate mos t’i jepen në vende të cilat nuk i njohin shtetet ose nuk iu mundësojnë sportistëve të marrin pjesë si të barabartë me të gjithë sportistët e tjerë. Për shkak se është një humbje e madhe e sportistëve. Ne kemi pasur disa sportistë potencial që në këtë garë të stolisen me medalje evropiane dhe atyre ju pamundësohet pjesëmarrja në garë”, tha në fund Gashi.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij akti, Federata e Karatesë së Kosovës do të ndërmarrë hapa konkretë. Ajo do të dorëzojë një ankesë zyrtare në Komitetin Olimpik të Kosovës, e cila më pas do t’i adresohet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vidovdani/ Policia e Kosovës, kontrolle të rrepta serbëve në hyrje të Gazimestanit (VIDEO)

Qytetarët serb tanimë kanë nis të mblidhen në Gazimestan, i cili ndodhet afër Obiliqit, për të festuar të ashtuquajturin Vidovdan. Ndërkohë, policia po kontrollon nëse...
12:37 | 28/06/2026

Përfshihet nga flakët një ndërtesë në Prishtinë, plagosen dy qytetarë dhe 5 zjarrfikës

Dy qytetarë dhe pesë zjarrfikës kanë mbetur të lënduar nga zjarri që ka përfshirë kulmin e një ndërtese afër Parkut të qytetit në Prishtinë, shkruajnë...
16:49 | 27/06/2026

KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, ku partia e parë ka dal...
13:36 | 27/06/2026