Kërcënimi i Trump dhe marrëveshja për mineralet: Sa e sigurt është Ukraina?

19 Prill 2025 | 10:31

Ukraina e nisi këtë të shtunë me një rreze shprese në horizontin diplomatik, teksa nënshkroi një “kornizë” paraprake marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim në sektorin e burimeve natyrore dhe energjetik. Marrëveshja parashikon investime amerikane në rindërtimin e Ukrainës, në këmbim të një ndarjes së fitimeve të vendit nga mineralet, infrastruktura energjetike, si dhe nafta e gazi natyror.

Megjithatë, entuziazmi diplomatik i Ukrainës u përplas me realitetin politik në Ëashington. Pavarësisht shpresave se pakënaqësia në rritje e SHBA ndaj qëndrimeve ruse do të sillte sanksione të reja ndaj Moskës, retorika e administratës Trump sinjalizon një tërheqje nga angazhimi i mëparshëm. Paralajmërimi se Uashingtoni mund të braktisë përpjekjet për paqe nëse nuk shihet përparim i shpejtë, përputhet më shumë me interesat e Kremlinit sesa me ato të Kievit.

Ekspertët bien dakord se pesha kolektive e Ukrainës dhe aleatëve të saj evropianë do të ishte e pamjaftueshme për të frenuar agresionin rus në një perspektivë afatgjatë. Ndërkohë, Rusia vazhdon të intensifikojë ofensivën ushtarake, duke kryer disa nga sulmet më të rënda kundër civilëve në javët e fundit.

Vetëm të premten, më shumë se 100 persona u plagosën dhe një u vra në Kharkiv, kur tre raketa goditën zonat e banuara të qytetit. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk dha asnjë deklaratë dënimi.

Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim të plotë nën këto kushte të tensionuara. Nga ana tjetër, Rusia nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimaliste, për më shumë territor ukrainas dhe largimin e Presidentit Volodymyr Zelensky.

Në terren, komandanti i një anijeje patrullimi ukrainase në Detin e Zi, Mykhailo, 26 vjeç, thekson rrezikun e një konflikti më të gjerë nëse Rusia del fituese. “Nëse Rusia pushton të gjithë Ukrainën, kush e di? Në 10 apo 15 vjet, do të shkojë në Poloni, Lituani, Estoni… kjo është mjaft e qartë,” thotë ai.

Ndërsa ndihma amerikane po shkon drejt përfundimit dhe një paketë e re nuk pritet të kalojë në Kongres, Ukraina përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për të ruajtur mbrojtjen e saj. Konsensusi ndërkombëtar është se Evropa, e vetme, nuk do të mund të përballojë peshën e mbështetjes së plotë për Ukrainën në afatgjatë.

Në frontin jugor, Ukraina ka arritur disa suksese, duke detyruar flotën ruse të tërhiqet dhe duke rivendosur korridore detare për eksportet. Megjithatë, Zelensky pranon se realitetet pozitive në fushëbetejë shpesh humbasin përballë mungesës së angazhimit ndërkombëtar.

Marrëveshja për mineralet me SHBA shihet gjithashtu me skepticizëm, duke u interpretuar nga disa si më shumë një sipërmarrje ekonomike sesa një aleancë strategjike. Pyetja që ngrihet gjithnjë e më shpesh është: A kujdeset më SHBA për të ardhmen politike dhe territoriale të Ukrainës, apo thjesht për interesat e veta tregtare?/ BBC

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ukraina vazhdon sulmet ndaj eksporteve dhe objekteve të naftës ruse, teksa presioni mbi Moskën rritet

Ukraina lëshoi qindra dronë drejt Rusisë të hënën, duke synuar objektet e eksportit dhe energjisë, ndërsa vazhdon fushatën e saj për të ushtruar presion mbi...
07:58 | 28/07/2026

Spanja dhe Franca përgatiten për valë të reja të të nxehtit, teksa zjarret mbeten ende jashtë kontrollit

Spanja dhe Franca po përgatiten për valë të reja të të nxehtit, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në disa rajone. Shërbimi...
07:53 | 28/07/2026

Trump të martën do të presë Zelenskyyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, do të zhvillojë takime të ndara

Presidenti amerikan, Donald Trump do të mirëpresë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të marten. Një...
21:00 | 27/07/2026