Koreja e Jugut shfaq raketën që mund të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë të Veriut

1 Tetor 2024 | 09:29

Koreja e Jugut ka shfaqur raketën e saj më të fuqishme balistike dhe disa armë të tjera që synojnë Korenë e Veriut.

Këto armë u shfaqën në ceremoninë e organizuar në Ditën e Forcave të Armatosura më 1 tetor, teksa presidenti korean-jugorë paralajmëroi regjimin e Veriut se do të kolapsojë nëse tenton të përdorë armë bërthamore.

Shfaqja e armëve të reja dhe paralajmërimi ndaj Koresë së Veriut erdhi pasi rivali verior i Seulit së fundi ka rritur armiqësitë rajonale, duke zbuluar një ndërtesë për pasurimin e uraniumit dhe ka testuar raketa para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.

“Nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore do të përballet me një përgjigje të fuqishme nga ushtria jonë dhe nga aleanca mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së”, tha presidenti Yoon Suk Yeol para mijëra trupave që u mblodhën në një aeroport ushtarak pranë Seulit. “Ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të Koresë së Veriut”.

“Regjimi i Koresë së Veriut duhet të heqë dorë nga iluzioni se armët bërthamore do t’i mbrojnë”, tha Yoon.

Gjatë ceremonisë, ushtria e Koresë së Jugut shfaqi rreth 340 pajisje ushtarake dhe sisteme armësh. Në mesin e tyre ishte edhe raketa më e fuqishme balistike e saj, Hyunmoo-5, e cila sipas vëzhguesve është e aftë të mbajë një koke konvencionale bërthamore prej rreth 8 tonësh, dhe mund të depërtojë thellë në tokë dhe të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë në Korenë e Veriut. Kjo është hera e parë që Koreja e Jugut ka shfaqur këtë raketë.

SHBA-ja fluturoi bombarduesit B-1B gjatë ceremonisë, që me gjasë është demonstrim i angazhimit të saj të sigurisë për aleaten aziatike. Koreja e Jugut po ashtu fluturoi disa nga avionët e saj më të avancuar luftarakë.

Që kur ka marrë detyrën më 2022, Yoon, politikan konservator, ka lidhur një aleancë më të fortë ushtarake me SHBA-në dhe ka përmirësuar raportet trepalëshe Seul-Uashington-Tokio sa i përket bashkëpunimit të sigurisë, që është në qendër të politikës të tij të sigurisë për t’u përballur me programin e avancuar bërthamor të Koresë së Veriut.

Viteve të fundit, Koreja e Veriut ka kryer testime provokuese të raketave dhe ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në konfliktet e mundshme me Korenë e Jugut dhe SHBA-në.

Muajin e kaluar, shqetësimet për programin e bombave të Koresë së Veriut u rritën edhe më shumë, pasi Pheniani publikoi fotografi të një ndërtese sekrete për pasurimin e uraniumit për armë bërthamore. Kjo ishte hera e parë që Veriu publikoi pamje të ndërtesës së saj për pasurimin e uraniumit, pasi kishte publikuar pamje të kompleksit të saj kryesor bërthamor në Jongbon më 2010.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: SHBA-ja është “e harmonizuar” me aleatët në Gjirin Persik sa i përket Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka synuar t’i sigurojë aleatët e Gjirit Persik se Uashingtoni do të mbetet “plotësisht i harmonizuar” me partnerët rajonalë,...
21:28 | 24/06/2026

Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale

Bitcoin ka rënë me rreth 5% të mërkurën, duke zbritur nën nivelin psikologjik prej 60,000 dollarësh, mes një presioni të shtuar të shitjeve në tregjet...
20:10 | 24/06/2026

Trump: Irani po bën lëshime të mëdha

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Irani po ofron lëshime të rëndësishme në kuadër të negociatave që po zhvillohen...
20:07 | 24/06/2026