Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, mori fund lufta gati 2-vjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe.
Sot kjo ditë u përkujtua me aktivitete në Prishtinë dhe komuna të tjera, ku krerët shtetërore bënë homazhe pranë figurave më të rëndësishme të shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Osmani u shpreh se ish-presidenti Rugova është arkitekt i pavarësisë, i cili ndërtoi ura miqësie që edhe sot i shërbejnë Kosovës.
“Rugova mbi të gjitha e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës edhe para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës”, tha Osmani.
Kryeministri Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë të kaluarën dhe se angazhohen për drejtësi për viktimat, dëmet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Nuk e harrojmë kurrë të kaluarën, do të insistojmë dhe do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, e vuajtjet që na u kanë shkaktuar dhe në këtë mënyrë bashkë me popullin e Kosovës”, tha Kurti.