Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Amazon për një “akt armiqësor”, pasi kompania njoftoi se do të fillojë të shfaqë në mënyrë të qartë tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump në faturat e klientëve të saj në SHBA.
Sipas një raporti të “Punchboël News”, Amazon do ta ndajë koston e tarifave nga çmimi bazë i produkteve, duke e bërë të qartë se sa janë tarifat që po kontribuojnë në çmimin përfundimtar të mallrave. Lëvizja është interpretuar si përpjekje për të transferuar përgjegjësinë për rritjen e çmimeve tek politika tregtare e administratës Trump.
Por reagimi nga Shtëpia e Bardhë erdhi menjëherë. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mbajti një deklaratë për mediat, ku me foton e Bezzos në dorë dënoi vendimin e kompanisë Amazon për publikimin e çmimit të rritur të tarifave.
“Ky është një akt politik i hapur nga Amazon. Pse nuk e zbatuan këtë gjatë administratës Biden, kur inflacioni arriti nivelin më të lartë në katër dekada?”- tha Leavitt.
Ajo theksoi se vendimi është një arsye më shumë për të mbështetur prodhimin dhe furnizimin vendas dhe për të zgjedhur produkte amerikane në vend të atyre të importuara. Leavitt nënvizoi se Amazon po vepron në sinkronizim me aktorë të huaj, si platforma kineze “Temu”, e cila po ashtu ka nisur të shfaqë tarifat amerikane në faturat e saj.
Përplasja vjen në një moment të tensionuar mes presidentit Trump dhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos. Megjithëse Bezos mori pjesë në inaugurimin presidencial të Trump, marrëdhënia mes dy figurave është përkeqësuar në vitet e fundit, sidomos për shkak të linjës editoriale të gazetës The Washington Post, në pronësi të Bezos.
Në një intervistë për CNBC, drejtori ekzekutiv i Amazon, Andy Jassy, tha se rritja e tarifave pritet të ndikojë në çmimet që prodhuesit i vendosin produkteve, duke paralajmëruar konsumatorët për pasoja në kostot e përgjithshme.
Të dhënat nga “SmartScout” tregojnë se çmimi i afro 1,000 produkteve të shitura në Amazon është rritur me një mesatare prej 30% që nga java e dytë e këtij muaji. Artikujt më të prekur përfshijnë pajisje teknologjike, karikues telefonash dhe veshje për gra.
LEXONI GJITHASHTU:
- Pas pezullimit të tarifave nga Trump, edhe BE heq kundërmasat ndaj SHBA
- Trump pezullon me 90 ditë tarifat e reja, përveç Kinës, të cilës i rriten në 125%