Sistemi i drejtësisë penale në Britaninë e Madhe po përballet me një krizë të rëndë për shkak të mbipopullimit të burgjeve, një situatë që ka çuar ekspertët të paralajmërojnë për një kolaps të mundshëm.
Sipas një analize të ekspertit të shtetit të së drejtës dhe emigracionit, Andi Hoxhaj, botuar në “The Independent”, qasja e ashpër ndaj krimit është një dështim i kushtueshëm i politikave të ndjekura ndër vite. Aktualisht, për çdo 100,000 banorë në Angli dhe Uells, 134 janë të burgosur, një nga normat më të larta në Evropën Perëndimore. Me mbi 87,000 të burgosur që nga shkurti 2025, rreth 98% e burgjeve janë të mbushura, duke e vënë sistemin penal në një gjendje kritike.
Nëse shkalla aktuale e arrestimeve dhe dënimeve vazhdon, parashikimet tregojnë se brenda disa javësh burgjet mund të mbeten pa hapësira të reja. Për këtë arsye, janë nisur hetime parlamentare për të identifikuar shkaktarët e krizës dhe për të gjetur zgjidhje.
Gjetjet e para tregojnë se një politikë e ndjekur nga qeveritë laburiste dhe konservatore në vitet e fundit, e njohur si “populizmi penal”, ka sjellë dënime më të ashpra dhe më të gjata, duke e bërë burgimin opsionin kryesor të ndëshkimit. Kjo qasje ka ndikuar negativisht në sistemin e drejtësisë dhe ka rritur mbingarkesën e institucioneve penale.
Sipas Hoxhajt, situata aktuale i ofron një mundësi të rrallë kryeministrit Keir Starmer dhe sekretares së tij të Brendshme për të transformuar sistemin penal dhe për të rishikuar politikat ndëshkimore. Starmer, si ish-drejtues i Prokurorisë Publike, ka potencialin të ndryshojë diskursin mbi drejtësinë penale dhe të sfidojë konceptin se burgimi është i vetmi mjet efektiv për të luftuar krimin.
Dështimi për të reformuar sistemin mund të çojë në një humbje të mëtejshme të besimit publik mbi drejtësinë.
Në analizën e tij, Hoxhaj krahason situatën në Britaninë e Madhe me Shqipërinë, vendin e tij të origjinës, e cila ka një nga normat më të larta të burgosjeve për frymë në Evropë (166 të burgosur për 100,000 banorë). Më shqetësuese është fakti se 61.3% e të burgosurve në Shqipëri janë ende në paraburgim, pa një vendim gjyqësor përfundimtar.
Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, duke verifikuar mbi 805 gjyqtarë dhe prokurorë. Si rezultat, 60% e tyre dështuan procesin e rivlerësimit, përfshirë pothuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, për shkak të pasurive të dyshimta dhe akuzave për korrupsion.
Gjithashtu, u krijua Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka hetuar dhe akuzuar zyrtarë të lartë, përfshirë ish-presidentë, -ish-kryeministra dhe gjyqtarë të niveleve të larta. Megjithëse këto masa kanë përmirësuar disi besimin publik, ende ka probleme me paraburgimet e gjata, të cilat janë kritikuar nga organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe OKB.
Ekspertët argumentojnë se ndëshkimi duhet të mbetet një element i rëndësishëm i drejtësisë penale, por duhet të rishikohet ideja se burgu është zgjidhja e vetme.
Sipas Hoxhaj, kriza e mbipopullimit të burgjeve i ofron qeverisë laburiste një mundësi për të rishikuar politikat penale dhe për të kuptuar koston e lartë sociale dhe ekonomike të dënimeve të gjata.
“Në një kohë kur besimi i qytetarëve te institucionet shtetërore është në nivelin më të ulët historik, dështimi për të reformuar drejtësinë mund të ketë pasoja afatgjata”, deklaron ai.
LEXONI GJITHASHTU:
- Trump kërcënoi Putinin, reagon Zelensky: Rusia do vetëm vazhdimin e luftës
- Irani i përgjigjet letrës së Trump, refuzon negociatat për programin e tij bërthamor