Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti të shtunën në Panama, vizita e parë jashtë vendit që kur mori drejtimin e diplomacisë amerikane. Kryediplomati amerikan do të zhvillojë takime në El Salvador, Kosta Rika, Guatemalë dhe Republikën Dominikane, ndërsa i jep fund turneut të enjten.
Zoti Rubio do të takohet me Presidentin Jose Raul Mulino të Panamasë, Presidentin Nayib Bukele të El Salvadorit, Presidentin e Kosta Rikës Rodrigo Chaves, Presidentin e Guatemalës Bernardo Arévalo dhe Presidentin Luis Abinader të Republikës Dominikane.
Ky turne diplomatik shënon rastin e parë në më shumë se 100 vjet që vizita e parë zyrtare e një kryediplomati të ri amerikan jashtë vendit të jetë pikërisht Amerika Latine, sipas të dërguarit të posaçëm amerikan për Amerikën Latine, Mauricio Claver-Carone.
Zyrtarët dhe ekspertët thonë se vizita e Sekretarit Rubio ka për qëllim pjesërisht që të mposhtë ndikimin e Kinës në rritje në atë rajon. Udhëtimi i shefit të diplomacisë amerikane vjen ndërsa Presidenti Donald Trump po përpiqet të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Uashingtoni intensifikon përpjekjet për të frenuar emigracionin e paligjshëm.
“Angazhimet e Sekretarit Rubio me zyrtarë të lartë dhe drejtues të biznesit do të nxisin bashkëpunimin rajonal lidhur me interesat tona të përbashkëta thelbësore. Ndalimi i emigracionit të paligjshëm në shkallë të gjerë, lufta kundër organizatave kriminale ndërkombëtare dhe trafikantëve të drogës, kundërvënia ndaj Kinës dhe thellimi i partneriteteve ekonomike për të rritur begatinë në hemisferën tonë”, tha përmes një deklarate të premten zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Presidenti Trump thotë se Kina kontrollon Kanalin e Panamasë, një rrugë e rëndësishme tregtare që lidh Atlantikun me Paqësorin. Panamaja e ka hedhur poshtë pretendimin amerikan, duke këmbëngulur se e menaxhon kanalin në mënyrë të paanshme për të gjithë trafikun detar.
Sekretari Rubio paralajmëroi ditë më parë se në rast të një konflikti Kina mund ta bllokojë qasjen në Kanalin e Panamasë.
“Nëse qeveria kineze, në rast të një konflikti, u thotë atyre që ta mbyllin Kanalin e Panamasë, ata do të duhet ta bëjnë këtë. Nuk kam asnjë dyshim se ata kanë një plan për ta bërë këtë në rast emergjence. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejt”, tha zoti Rubio në një intervistë me Radion SiriusXM.
Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, tha se nuk do të ketë asnjë diskutim me kryediplomatin amerikan lidhur me kontrollin e kanalit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Trump “kërcënon” sërish Grenlandën dhe Panamanë, kërkesa për Gjirin e Meksikës
- Presidenti i Panamasë: Deklaratat e Trump do ia nisim Këshillit të Sigurimit të OKB