Kryeministrja daneze: Kemi mandat për të rrëzuar çdo dron që shkel hapësirën tonë
Në një klimë të tensionuar për shkak të ndërhyrjeve të fundit në hapësirën ajrore të disa vendeve evropiane nga dronë të paidentifikuar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Kopenhagen për një takim informal të Këshillit Evropian. Takimi zhvillohet në Pallatin historik Christiansborg, në një moment kur siguria ajrore dhe mbrojtja nga kërcënimet hibride janë rikthyer në qendër të axhendës politike të bllokut.
Një prej çështjeve kyçe që po diskutohet është propozimi për ndërtimin e një “muri dronësh”, një rrjet mbrojtjeje teknologjike që synon të parandalojë dhe neutralizojë çdo shkelje të hapësirës ajrore nga avionë pa pilot. Ideja vjen vetëm pak ditë pas incidentit në Danimarkë, ku disa aeroporte u detyruan të mbylleshin përkohësisht për shkak të aktiviteteve të dyshimta ajrore.
Duke komentuar situatën, Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ishte e prerë në qëndrimin e saj:
“Rrëzimi i dronëve? Unë jam përgjithësisht pro. Në Danimarkë, ne kemi një mandat për t’i rrëzuar ata. Sigurisht, kjo duhet të bëhet siç duhet, sepse ekziston një shoqëri civile që duhet të jetë në gjendje të funksionojë, por ka një mandat për ta bërë këtë,” deklaroi ajo para gazetarëve.
Ndërkohë, edhe Gjermania ka paralajmëruar masa të reja për të forcuar mbrojtjen nga dronët dhe kërcënimet hibride. Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt njoftoi se shumë shpejt do të ngrihet një qendër e përbashkët për mbrojtjen nga dronët, që do të mundësojë bashkëpunim ndërmjet Landeve dhe qeverisë federale, si dhe do të koordinojë analizat e kërcënimeve dhe masat operative.
“Kërcënimet hibride si spiunazhi dhe sabotimi po rriten. Për këtë arsye, do të ndërmarrim reforma të Aktit Federal të Policisë dhe do të rishikojmë Aktin e Sigurisë së Aviacionit, në mënyrë që të përfshijmë edhe Bundeswehr-in në përgjigjet ndaj incidenteve me dronë,” theksoi ministri gjerman.
Dobrindt shtoi gjithashtu se reagimi duhet të jetë gjithmonë i matur dhe proporcional:
“Jo çdo dron përbën një kërcënim. Disa mund të jenë provokime që synojnë të testojnë reagimin tonë. Prandaj na duhet një bazë e fortë ligjore dhe teknologjike për të vepruar me saktësi.”
Përveç sigurisë ajrore, liderët e BE-së do të diskutojnë për herë të parë në nivel të lartë propozimin për përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Evropë për të financuar një kredi në vlerë prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën – një nismë që mund të sjellë përplasje politike dhe ligjore brenda unionit.
Takimi në Kopenhagen pritet të shërbejë si pikënisje për një strategji më të bashkërenduar evropiane ndaj sfidave të reja të sigurisë, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe rritja e tensioneve gjeopolitike kërkojnë përgjigje të koordinuara dhe të vendosura.
LEXONI GJITHASHTU:
- Danimarka heq taksën prej 25% për librat, shkak kriza alarmuese e leximit
- Rama udhëton drejt Danimarkës për takimin e Komunitetit Politik Europian
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë