Kryetarët serbë: Në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin

13 Shkurt 2026 | 13:06

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë u takuan të premten në Prishtinë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniçi, por thanë se “nuk është diskutuar për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, tha se ata nuk janë kompetentë për çështjen e integrimit dhe se ajo duhet të negociohet brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne, si kryetarë komunash, besojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi; është ekskluzivisht një temë për negociata dhe negociatorët kryesorë”, tha ai.

Takimi i kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe dhe ministrit Krasniqi u paralajmërua më herët nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit dhe se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.

“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave të tregonin sa më shumë përgjegjësi që të jetë e mundur në këtë fazë, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet kryesisht nga qasja që do të ndjekin në javët e ardhshme”, tha Bislimi.

Megjithatë, Radojeviç tha se ky takim kishte të bënte me problemet komunale, administrative ose teknike, me të cilat po përballen komunat.

“Kemi edhe probleme me personelin dhe institucionale, ndryshimin e kufijve të komunave…”, tha ai.

Radojeviç shtoi se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ministri Krasniqi për problemet e ngritura, por se e pret në të ardhmen.

Një ditë më herët, kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë miratuan një deklaratë, me të cilën hodhën poshtë dhe dënuan çdo veprim ose aktivitet që mund të rrezikojë punën dhe shërbimet e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, që veprojnë në mjediset me shumicë serbe, brenda sistemit të Serbisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Serbët do të vazhdojnë protestat edhe pasi presidenti Vuçiç njoftoi se do të japë dorëheqjen

Mijëra protestues pritej të mblidheshin në qytetin serb të Kralevës të dielën, një ditë pasi Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se do të jepte dorëheqjen, duke hapur...
18:09 | 28/06/2026

Aksident i trefishtë në aksin Gjakovë-Prizren, plagosen 7 persona. Policia jep detaje

Një aksidenti i trefishtë është regjistruar këtë të diele në aksin Gjakovë-Prizren, në fshatin Rogovë. Policia bën me dije se nga ku aksident janë plagosur...
16:30 | 28/06/2026

Arrestimi i serbëve në Gazimestan, reagon Lista Serbe: Dëshmi e represionit të regjimit në Prishtinë

Pas arrestimit të disa serbëve në Gazimestan kanë reaguar Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. “Për këtë veprim, të cilin e...
16:07 | 28/06/2026