Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti në një taim këtë të mërkurë ambasadoren e re të Greqisë, Konstantina Kamitsi.
Nikolla i shprehu Ambasadores Kamitsi urimet më të mira për detyrën e saj në Shqipëri si edhe besimin se gjatë këtij misioni do të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë frymëzohet nga fryma e fqinjësisë së mirë, interesat e përbashkëta strategjike, partneriteti në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri shërbejnë si ura miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve. Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e vendosur të për integrimin evropian të Shqipërisë dhe suksesin e negociatave të anëtarësimit. Bashkëpunimi shumë i mirë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë nxit bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe i shërben miqësisë mes popujve tanë.”, nënvizoi Nikolla.
Nga ana tjetër, ambasadorja Konstantina Kamitsi shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizoi se do të punojë për avancimin e këtij bashkëpunimi. Greqia do të vijojë të mbështesë rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe do të nxisë rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve greke në Shqipëri, pas kapërcimit të krizës së dekadës së fundit.